Kosova

MPJD: Për 48 orë kufijtë me Greqinë do të jenë të mbyllur


Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka bërë të ditur se që nga e marta për 48 orë do të jenë të mbyllur kufijtë e Greqisë.

MPJD, përmes një komunikate për media ka theksuar se kjo mbyllje e kufijeve do të ndodh për shkak të një greve nga shërbimi doganor grek.

“Që nga nesër, më datë 2 prill 2024, me fillim në ora 06:00 të mëngjesit e deri me datën 4 prill 2024, në ora 06:00 të mëngjesit kufijtë e Greqisë do të jenë të mbyllur, si pasojë e një greve 48 orëshe të paralajmëruar nga shërbimi doganor grek”, thuhet në komunikatë.

MPJD ka shtuar se kufiri do të lejohet vetëm për këmbësorët, pa bagazhe dhe për personat me probleme serioze shëndetësore.

Ndërsa, ka apeluar tek qytetarët se në rast të nevojës për ndonjë informacionn shtesë të kontaktojnë Zyrën e Interesave të Kosovës në Athinë.

Që nga liberalizimi i vizave më 1 janar, numri i qytetarëve nga Kosova që vizitojnë Greqinë është rritur.

Më 31 mars, edhe Policia dhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë kanë thënë se pikat e kalimit kufitar me Greqinë do të jenë të mbyllura për dy ditë për shkak të protestave.

Pikat e kalimit kufitar që janë mbyllur janë në Kakavijë, Tre Urat në Përmet dhe Qafë-Bota në Sarandë.

Sipas njoftimit të policisë së Shqipërisë, pika e kalimit kufitar të Kapshticës mbetet e hapur për qarkullimin normal të mjeteve dhe njerëzve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore