Vitin e ri 2022, Bajazit Alomeroviç, e shijoi duke skijuar në shpatet e Bjelasnicës.
Nga aty, ai pa festivalin e fishekzjarrëve mes dëborës, një nxitje adrenaline që e “detyroi” të rikthehej këtë vit në malin mbi kryeqytetin boshnjak, Sarajevë.
Por për shkak të motit shumë të ngrohtë në të gjithë Evropën, aty nuk ka asnjë pikë dëbore.
Alomeroviç, i cili është nga Sarajeva, mund të shpresojë vetëm se moti do të ndryshojë derisa ai është ende me pushime në resortin “Bjelasnica”.
“Nuk ka borë, por moti është njësoj i mirë, ne kemi pranverë në vend të dimrit”, buzëqeshi Alomeroviç, i cili foli me stafin e agjencisë së lajmeve “Reuters” në vendpushimin e skive që ka qenë shtëpia e Lojërave Olimpike Dimërore të 1984.
“Ne e kemi pritur borën çdo ditë, por tani do të duhet të largohemi”.
Edhe pse sezoni i skijimit duhet të jetë i plotë në këtë kohë të vitit, qendrat e skive në Bosnjë, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut janë kryesisht bosh.
Disa po ofrojnë shëtitje panoramike për të admiruar pamjet, por shumica e teleferikëve varen pa jetë mbi shpatet me bar dhe baltë, me vetëm pak shenja dëbore.
Disa turistë shqiptarë që vizituan qendrën e skijimit të Brezovicës në Kosovë u ankuan se teleferikët nuk po funksiononin dhe nuk mund të bënin fotografi nga maja e malit, e cila ka një mbulesë dëbore.
“Nuk mbaj mend ndonjë vit si ky në 30 vitet e fundit”, tha Igor Nikolceviç, i cili ka një pica bar në Brezovicë, por që po e çonte qenin për shëtitje për shkak të mungesës së klientëve.
“Kjo është hera e parë në jetën time që kam parë plus 5 ose 10 gradë Celsius në janar”.
Sezoni i skijimit në shumicën e qendrave të rajonit do të hapej në fillim të dhjetorit, por është vonuar.
Zyrtarët dhe hotelierët shpresojnë se moti më i ftohtë do të vijë dhe do t’i ndihmojë ata të shpëtojnë sezonin.
“Është shumë e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë pasi janari është muaji kyç për biznesin në rajon”, tha Aldin Smajkan nga Qendra Olimpike ZOI Sarajevë, që operon qendrat e skive Bjelasnica dhe Igman.
Në Mavrovë, qendra më e madhe e skive në Maqedoninë e Veriut, gati 70%-80% e rezervimeve të hoteleve janë anuluar për shkak të mungesës së borës.
Kjo sipas Ognen Cigovski, menaxher i përgjithshëm i vendpushimit të skive Bistra.
Hotelierët u ofrojnë vizitorëve ecje në këmbë dhe ecje me biçikletë.
“Ne ende mund të shpresojmë se do të ketë disa reshje dëbore në mënyrë që të përpiqemi të ruajmë sezonin”, tha Cigovski.
“E dini, njerëzit vijnë në Mavrovë për të skijuar, jo për shëtitje apo biçikleta”.
Marrë nga Reuters, përshtatur për Albanian Post
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore