Shqipëria

Miratohet skema e kredisë studentore, kriteret që duhen plotësuar


Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka bërë me dije miratimin e skemës së kredisë studentore.

Kjo skemë i mundëson studentit mbulimin e tarifave të studimit dhe kostove të jetesës gjatë studimeve të larta.

Në këtë proces, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL) negocion me bankat e nivelit të dytë.

Kredia studentore jepet pa kolateral fizik dhe jepet për mbulimin e kostove vetëm për ndjekjen e një programi studimi.

Financimi i kredisë bëhet me këste, të paktën dy herë në vit, pas konfirmimit nga IAL që studenti ka shlyer tarifën e vitit dhe ka frekuentuar procesin mësimor.

Shlyerja e kredisë nis jo më herët se 3 vite pas nënshkrimit të kontratës së kredisë për studimet e ciklit të parë, jo më herët se 2 vite pas nënshkrimit të kontratës së kredisë për programe studimi cikli i dytë dhe e treta jo më herët se 5 vjet pas nënshkrimit të kontratës së kredisë, për rastet e kredisë së marrë për program studimi të integruar të ciklit të dytë.

Një kusht tjetër është që norma e interesit të kredisë të jetë e pandryshueshme, gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës së kredisë.

Studentët që përfitojnë kredi studentore, nuk duhet të jenë përfitues nga politika të tilla si bursë apo përjashtim nga tarifat, me qëllim që të zgjerohet sa më shumë numri i përfituesve.

Ndërkaq, studentët përfitues do të përzgjidhen bazuar në vlerën e kredisë, ndjekjen e studimeve në programet prioritare dhe rezultatet e mëparshme gjatë studimeve.

Efektet e këtij vendimi nisin menjëherë, gjatë vitit akademik 2023 -2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore