Lajme

Ministria e Jashtme turke paralajmëron qytetarët e saj të mos udhëtojnë drejt Evropës


Ministria e Jashtme e Turqisë të shtunën paralajmëroi qytetarët për rreziqet e udhëtimit në vendet evropiane për shkak të rritjes së “akteve anti-islamike, ksenofobike dhe raciste” në disa prej tyre.

Ministria e Jashtme turke tha se këto ngjarje “pasqyrojnë shkallën e rrezikshme të intolerancës fetare dhe urrejtjes në Evropë” dhe “tregon qartë nivelin alarmues të lëvizjeve raciste dhe diskriminuese” në kontinent.

Qytetarëve turq në Evropë iu kërkua “të sillen me qetësi përballë ngacmimeve dhe sulmeve të mundshme ksenofobike dhe raciste”, si dhe të monitorojnë raportimet e mediave dhe, nëse është e nevojshme, të kontaktojnë konsullatat e vendit pritës.

Nuk specifikohet se për cilat veprime “antiislamike” bëhet fjalë, por paralajmërimi i Ministrisë së Jashtme turke u publikua pasi aktivisti danezo-suedez Rasmus Paludan dogji disa kopje të Kuranit.

Një protestë e ngjashme antiturke u zhvillua më herët jashtë ambasadës turke në Stokholm, pas së cilës Ankaraja pezulloi bisedimet trepalëshe me Suedinë dhe Finlandën, duke thënë se ishte “e kotë” të bisedohej.

Pavarësisht kësaj, Stokholmi shpreson të bashkohet me NATO-n këtë verë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore