Aleanca OPEC + ka zhvilluar një sërë takimesh virtuale për të diskutuar shkurtimet shtesë të prodhimit të naftës për vitin e ardhshëm për të mbështetur tregun.
Të paktën kështu kanë thënë tre delegatë për Reuters.
Madhësia e shkurtimeve të mundshme shtesë nuk është vendosur ende, por dy delegatë kanë thënë se ato varionin nga 1 milion në 2 milionë fuçi në ditë për tremujorin e parë të vitit 2024.
Arabia Saudite, Rusia dhe anëtarët e tjerë të OPEC+ pompojnë rreth 43 milionë fuçi në ditë, më shumë se 40 për qind e furnizimit global.
Afro 5 milionë fuçi në ditë shkurtime, që përfaqësojnë rreth 5 për qind të kërkesës globale, janë tashmë në fuqi.
Burime për Reuters kanë bërë me dije se diskutimet kishin qenë të vështira.
Takimi i OPEC+ fillimisht ishte planifikuar për në 26 nëntor, por u shty për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi kuotat e prodhimit për prodhuesit afrikanë, megjithëse burimet kanë thënë që atëherë grupi e ka zgjidhur kryesisht këtë çështje.
Po ashtu takimi i OPEC+ përkon me hapjen e samitit të klimës COP28 të Kombeve të Bashkuara që po mbahet në anëtarin e OPEC, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Analistja Helima Croft ka thënë se Arabia Saudite, e cila ka reduktuar prodhimin me 1 milion fuçi shtesë në ditë që nga korriku, nuk do të dëshironte vetëm shkurtime shtesë.
“Ne mund të parashikojmë një skenar ku Rusia dhe Arabia Saudite të kalojnë shkurtimin e tyre gjatë tremujorit të parë 2024 dhe të mbledhin një koalicion të prodhuesve individualë të gatshëm për të bërë rregullime vullnetare”, ka shtuar ajo.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com