Kosova

Minatorët protestojnë të enjten para Qeverisë, “për bukën e gojës”


Kryeministri Albin Kurti me minatorët e Trepçës

Minatorët e Trepçës, të enjten do të protestojnë para Qeverisë së Kosovës, kjo pasi që për tre muaj s’kanë marrë paga.

Përmes një komunikate për media, Sindikata e Trepçës ka thënë se minatorët aktualisht janë në një situatë jashtëzakonisht të rëndë ekonomike.

“Kjo protestë reflekton kërkesën e vetme të minatorëve, e që është pagesa e pagave të papaguara për gati tre muaj”.

“Situata e minatorëve është rënduar tej mase, mosekzekutimi i pagave i ka dërguar minatorët në një situatë krize për ekzistencë, andaj si mjet për të kërkuar bukën e gojës për vete dhe familjen e tyre ka mbetur që të protestojnë si mjet ligjor dhe demokratik”.

Minatorët as këtë javë nuk kanë shpresa që do t’i marrin pagat, ndërsa të njëjtit po vazhdojnë të grevojnë deri në momentin kur situata t’i kthehet normalitetit.

Përfaqësuesi i sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Destan Kërleshi, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post të hënën ka thënë se akoma s’kanë asnjë informacion se kur do të mbahet takimi mes bordit të Trepçës dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“S’ka asgjë të re, situata po vazhdon të jetë e njëjtë”, ka thënë Kërleshi për AP.

Qeveria e Kosovës deri më tani nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret në këtë drejtim – përveç se kishte lëshuar një komunikatë për media ku thuhej se përkrahja financiare për ndërmarrjen “Trepça” varet nga zotimi se do të ulen shpenzimet dhe do rifillojë rritja e prodhimit.

Në gjithë këtë situatë në “Trepçë”, ajo u komplikua edhe më shumë, kur gjykata vendosi që kryeshefi i emëruar për t’i zgjidhur problemet e “Trepçës”, Bashkim Kurti, doli se qysh nga janari kur u emërua pozitën e mbante ilegalisht, meqë nuk i plotësonte kushtet për atë pozitë.

Pastaj, me 2 gusht, Bordi i “Trepçës” njoftoi se në vend të Kurtit emërohet si ushtrues detyre i Kryeshefit, Faton Ahmeti, i cili kishte ushtruar padi ndaj Kurtit dhe gjykata i dha të drejtë në shkallën e parë.

Përkundër të gjitha zhvillimeve Kurti vazhdon të mos deklarohet për situatën, derisa gjatë fushatës zgjedhore e kishte vlerësuar si “krim të madh” mosinvestimin në Trepçë.

“Mosinvestimi në ‘Trepçë’ është një ndër krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës, sepse nuk është krim vetëm kur bën diçka keq por edhe kur s’bën diçka mirë, e ke përgjegjësinë për diçka të tillë”, ishte deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në janar të 2021-së, gjatë kohës kur ishte në opozitë.

Më 5 gusht, kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka reaguar për krizën në kombinatin metalurgjik, duke kritikuar veçanërisht kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për gjendjen e rënduar të minatorëve.

Ai ka njoftuar se të hënën ka qëndruar në Trepçë, derisa ka treguar edhe arsyen përse nuk ka reaguar më herët për krizën në ndërmarrje: “Kam hezituar t’i takojë me shpresën se çështja do të zgjidhej pa komplikim. Çdo involvim i yni partiak, barte rrezikun e politizimit të kauzës së tyre”.

Mos përmirësimi i kushteve të punëtorëve të Trepçës, ka dërguar në greva të njëpasnjëshme.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore