Lajme

Milatoviç: Serbia është më shumë se partner ekonomik për Malin e Zi


Presidenti i sapozgjedhur malazez, Jakov Milatoviç, është shprehur këtë të enjte se “Serbia është më shumë se një partner ekonomik” për Malin e Zi, dhe se do të dëshironte që vizitën e parë si president ta bënte në Bruksel, ndërsa “më vonë edhe në Beograd”.

“Fjala ime e thënë publikisht se do të dëshiroja që vizita ime e parë zyrtare të ishte në Bruksel, vjen si rezultat i vizionit që kam për Malin e Zi – që duhet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian (BE) gjatë mandatit tim pesë vjeçar”, tha ai, transmeton media malazeze Caffedelmontenegro.

E, menjëherë pas kësaj, kreu malazez kujtoi se kishte thënë se “shpejt pas kësaj do të dëshiroj ta vizitoj zyrtarisht edhe Beogradin, për të avancuar më tej dhe për të normalizuar më tej marrëdhëniet mes Serbisë dhe Malit të Zi, për t’i sjellë ato në kushte të barabarta si dy vende mike”.

I pyetur nëse tek ai ekzistonte përshtypja se në Beograd kishte nga ata që shpresonin për një rezultat pak më ndryshe të zgjedhjeve në Mal të Zi, ai u përgjigj duke thënë se “nëse e keni fjalën për Beogradin zyrtar, sinqerisht nuk e kam pasur atë përshtypje, nuk mund të them asgjë më shumë se kaq”.

“Kam përshtypjen se mesazhet e mia në sfondin e marrëdhënieve të mira fqinjësore janë pritur mirë në Beograd. Në fund të fundit, është kaq e natyrshme për mua. Serbia është më shumë se ekonomia për Malin e Zi, këtë e kam thënë edhe si ministër dhe kjo do të jetë slogani kur të jem president në raport me Serbinë”, tha Milatoviç.

Ndërsa, negociatat me BE-në nën udhëheqjen e presidentit të deritanishëm, Milo Gjukanoviç, ai i konsideroi të ngadalshme.

“Ai proces po ecën me ritëm të kërmillit”, tha Milatoviç.

Gjithashtu, presidenti malazez nënvizoi se në dy vitet e mëparshme, për shkak se siç thotë ai “të paqëndrueshmërisë institucionale”, ka pasur edhe dinamika “jo të kënaqshme” dhe pikërisht për këtë ai tha se “kam dashur të dërgoj një mesazh se BE-ja është destinacioni i parë me synimin për anëtarësim të plotë, sepse është prioritet i të gjitha prioriteteve për Malin e Zi”.

Ndryshe, Jakov Milatoviç u zgjodh president i Malit të Zi në zgjedhjet presidenciale të mbajtura me 2 prill.

Udhëheqësi më jetëgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, Milo Gjukanoviç, do të zëvendësohet në krye të shtetit malazez nga një ekonomist i ri që ishte veç pesë vjeç kur Partia Socialiste e Demokratëve (DPS) erdhi për herë të parë në pushtet në vitin 1991.

Milatoviç mori mbështetje nga partitë e afërta me Serbinë, Rusinë dhe Kishën Ortodokse Serbe. Edhe pse student i Oksfordit dhe intelektual me orientim liberal, ai ishte edhe ministër në qeverinë pro-serbe, e cila ishte mbledhur nga KOS-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore