Lajme

Mickoski: Do e respektoj Marrëveshjen e Prespës, por personalisht do e përdor emrin Maqedoni


Hristjan Mickoski

Hristjan Mickoski, lideri nacionalist i VMRO-DPMNE-së, ka thënë se qeveria që ai do të formojë, do ta respektojë Marrëveshjen e Prespës [mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, për ndryshimin e emrit të kësaj të fundit] derisa ligjet dhe Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut të jenë të këtilla.

Por, përkundër kësaj Mickoski ka theksuar se për atë personalisht, atdheu i tij në çdo deklaratë do të mbetet “Maqedonia”, derisa reagimet e Athinës zyrtare, kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut i konsideruar se “janë histeri parazgjedhore në Greqi”.

“Nuk pres marrëdhënie talibane. Censurim të së drejtës elementare të njeriut, ndërsa gjithçka që përmban Marrëveshja e Prespës dhe që është pjesë e sistemit tonë juridik dhe rendit kushtetues, qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së atë do ta respektojë. Për mua, atdheu im në çdo deklaratë timen është Maqedonia dhe do të mbetet Maqedonia, komunikimi i plotë institucional që është pjesë e ligjeve dhe Kushtetutës do të respektohet, deri sa këto ligje dhe Kushtetuta janë në fuqi, ashtu siç janë”.

“Nuk zemërohem”, vazhdoi Mickoski, “me politikanët kur nuk thonë emrin e plotë të vendit të tyre, por thjesht fundin ose një pjesë të atij emri”.

“Nuk mund të kërkosh që të respektohen ligjet, të sundojë ligji, të zbatohen reformat dhe nga ana tjetër të jesh hipokritë dhe të thuash gjëra që nuk janë të vërteta dhe që nuk i zbaton dot. Por në deklaratat e mia ky do të jetë emri i atdheut tim dhe do të jetë Maqedonia”, insistoi Mickoski.

Nëse kjo çështje ngrihet në Samitin e NATO-s, potencoi lideri i VMRO-së, mesazhi i tij do të jetë se dëshiron të ndërtojë ura bashkëpunimi, “miqësie me fqinjët tanë, duke përfshirë fqinjin tonë jugor, lindor, veriperëndimor”.

“Populli dhe qytetarët maqedonas janë popull paqedashës dhe mikpritës. Pres që edhe fqinjët tanë të sillen në të njëjtën mënyrë që të mund të bashkëpunojmë dhe të kultivojmë marrëdhënie të mira fqinjësore”, shtoi.

Ndryshe, ky është reagimi i parë i Mickoski-t për këtë temë, pas paralajmërimeve të Kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ndaj fituesve të zgjedhjeve parlamentare të 8 majit në Maqedoni të Veriut, se në rast të mos respektimit të Marrëveshjes së Prespës, shteti helen do të bllokojë rrugën evropiane të Shkupit zyrtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore