Shqipëria

MFRR: Sulmet verbale mbeten kërcënimi kryesor për gazetarët në Shqipëri


Sulmet verbale ishin kërcënimi kryesor për gazetarët dhe subjektet mediatike në gjashtëmujorin e parë të vitit, zbulon raporti më i fundit i monitorimit nga Reagimi i Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR).

MFRR-ja regjistroi 22 sinjalizime që përfshinin 24 persona ose subjekte të lidhura me median dhe tre vendime ligjore që paraqesin “efekte rrëqethëse” për lirinë e shtypit dhe medias në Shqipëri, shkruan OJQ-ja.

Raporti është prodhuar nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI).

Raporti i fundit i Monitorimit eksploroi në detaje 756 shkeljet e lirisë së medias të regjistruara nga partnerët e MFRR-së në gjysmën e parë të vitit.

Këto shkelje prekën 1 mijë e 212 persona apo subjekte të lidhura me median. 474 prej këtyre sinjalizimeve u regjistruan në shtetet anëtare të BE-së, ndërsa 282 në vendet kandidate.

Mes sinjalizimeve të publikimit, përfshihen kontakti fizik mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetares Ambrozia Meta, akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha për gazetaren Klodiana Lala duke iu referuar si “zëdhënëse e Qeverisë”, apo edhe kërcënimet ndaj gazetarëve që raportojnë për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Këtu, raporti sjell në vëmendje objektin e një fushate shpifjeje ndaj gazetares Ola Xama lidhur me artikullin që përfshinte inceneratorin e Tiranës.

MFRR-ja shton se ka pasur një rritje të dukshme të rasteve të dokumentuara të aktivitetit të bllokuar gazetaresk, me gjashtë sulme të monitoruara në gjysmën e parë të 2024, krahasuar me katër për të gjithë vitin 2023.

Përdorimi i preteksit të shkeljes së standardeve të komunitetit pa justifikim të qartë u bë një mjet gjithnjë e më i zakonshëm për mbylljen e platformave kritike.

Shpesh në shënjestër ishin ata që merreshin me punë investigative.

“Në shkurt, Gjykata e Lartë Shqiptare krijoi një precedent të rrezikshëm për të gjithë gazetarët kur vendosi për ligjshmërinë e sekuestrimit të pajisjeve të gazetarit Elton Qyno nga SPAK, pas refuzimit të tij për të zbuluar burime në lidhje me publikimin e dokumenteve konfidenciale nga një hetim i profilit të lartë”, thekson në raportin e saj OJQ-ja.

Sipas saj, një vendim i tillë paraqet një kuadër të paqartë për standardet e vendosura nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe entitete të tjera ndërkombëtare të dedikuara për lirinë e shtypit dhe medias.

Këto të fundit, vëren MFRR-ja, prokurorët duhet t’i ndjekin kur kërkojnë burime nga gazetarët profesionistë, duke ngritur pikëpyetje rreth masës në të cilën mbrohen të drejtat e gazetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore