Shqipëria

Meta dënon ashpër aktin ndaj prokurorit Muça


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dënuar ashpër aktin kriminal ndaj prokurorit Arjan Muça.

Nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook, Meta shprehu indinjatën ndaj funksionarit të sistemit të drejtësisë.

“Dënoj me forcë aktin kriminal ndaj funksionarit të sistemit të drejtësisë, Prokurorit Arjan Muça”.

Meta, po ashtu, mbështeti vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për sigurinë e tij dhe të familjes.

“U kërkoj institucioneve të ngarkuara nga ligji të garantojnë mbrojtjen e posaçme për Prokurorin Muça dhe familjen e tij”.

Kujtojmë se makinës së prokurorit të KLP-së, Arjan Muça, i është vënë një sasi tritoli mbrëmjen e 11 marsit, pranë zonës së Komunës së Parisit.

Deri më tani, policia akoma nuk ka diçka konkrete se kush ka qenë autori dhe arsyen pse mund t’i jetë vendosur kjo lëndë plasëse.

Dyshimet e para janë për shkak të detyrës së Muçës ose bashkëshortes së tij, Gentiana Muça, e cila është gjyqtare.

Policia ka sekuestruar kamerat e disa bizneseve të ndryshme, të cilat ndodhen rreth vendit ku ka ndodhur ngjarja.

Policia vazhdon hetimet e mëtejshme për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe për kapjen e autorit.

KLP-ja ka urdhëruar më 12 mars që t’i sigurohet mbrojtje e veçantë dhe e posaçme për prokurorin Muça dhe familjen e tij.

Kush është Arjan Muça?

Arjan Muça është bashkëshorti i gjyqtares së njohur, Gentiana Muça.

Muça ka qenë në detyrë për disa kohë në Prokurorinë e Gjirokastrës, ku ka ndjekur dosje të rëndësishme.

Prej dy vitesh, Arjan Muça është një nga gjashtë prokurorët e komanduar si këshilltar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ai merret me raportet e vlerësimit të prokurorëve për në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore