Jetesë & Stil

Mediumi BBC i përgjigjet ankesave se mbulimi i lajmeve për kancerin e Kate Middleton ishte “i tepërt dhe i pandjeshëm”


Mediumi BBC ka thyer heshtjen pasi pranoi ankesa në lidhje me mbulimin e tyre të diagnozës së kancerit të Kate Middleton.

Transmetuesi kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar tha se “ka marrë ankesa nga njerëz që mendojnë se mbulimi i tyre i diagnozës së kancerit të Princeshës së Uellsit ishte i tepruar dhe i pandjeshëm”, sipas Variety, transmeton AlbanianPost.

“Ne transmetuam të plotë video-mesazhin shumë personal nga Princesha e Uellsit, në të cilën ajo foli drejtpërdrejt me publikun për diagnozën e saj të kancerit”, tha BBC në një deklaratë.

“Mbulimi ynë pasqyroi rëndësinë e kësaj historie dhe mbështetjen e madhe për princeshën nga e gjithë bota. Ne i shpjeguam audiencës tonë se çfarë dihej për gjendjen e Katherine, por nuk spekuluam për detaje që nuk ishin bërë publike”, u tha tutje në deklaratë.

Sipas BBC, raportimi që theu heshtjen mbi spekulimet e shumta në publik, ishte korrekt duke shtuar faktin se mediumi e theksoi kërkesen e Middleton për privatësi.

“Raportimi ynë e bëri të qartë se kjo është një kohë e vështirë për princeshën dhe pjesën tjetër të familjes mbretërore; ne kemi qenë të ndërgjegjshëm në çdo kohë që t’i qasemi mbulimit tonë me ndjeshmëri. Si pjesë e analizës sonë, ne shqyrtuam spekulimet intensive kishte pasur në javët e mëparshme për shëndetin e princeshës. Ne raportuam gjithashtu për kërkesën e Katherine për privatësi dhe detajuam deklaratën nga Pallati Kensington në lidhje me të drejtën e privatësisë së princeshës në lidhje me çështjet e saj mjekësore”, u tha në deklaratë.

Deklarata përfundoi me vendosmërinë e BBC-së mbi korrektësinë e publikimit të videos.

Përndryshe, Kate nuk është e vetmja nga familja mbretërore që po sfidohet nga kanceri – edhe mbreti Charles po ballafaqohet me një sfidë të ngjashme – dyshja madje thuhet se janë lidhur akoma më shumë mes trajtimit të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore