Kompanitë më të avancuara të teknologjisë do t’i lejojnë qeveritë të kontrollojnë mjetet e tyre të inteligjencës artificiale (AI) për herë të parë, ka njoftuar kryeministri britanik Rishi Sunak.
Kjo vjen pasi Elon Musk ka paralajmëruar se teknologjia mund të zëvendësojë përfundimisht të gjitha punët njerëzore.
Kompanitë duke përfshirë Meta, Google DeepMind dhe OpenAI kanë rënë dakord të lejojnë rregullatorët të testojnë produktet e tyre më të fundit të AI-së përpara se t’i lëshojnë ato për publikun.
Një lëvizje kjo, që zyrtarët thonë se do të ngadalësojë garën për të zhvilluar sisteme që mund të konkurrojnë me njerëzit.
Sunak e bëri njoftimin pas një samiti dy-ditor në Bletchley Park, në të cilin një grup i ndryshëm, duke përfshirë njeriun më të pasur në botë, zëvendëspresidentin e SHBA-ve dhe një zyrtar të lartë të qeverisë kineze, ranë dakord se AI përbën një rrezik të madh për njerëzimin.
“Unë besoj se arritjet e këtij samiti do të ndryshojnë ekuilibrin në favor të njerëzimit”, ka theksuar Sunak.
Kryeministri njoftoi gjithashtu mbështetjen ndërkombëtare për një trup ekspert të frymëzuar nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, që do të kryesohet nga një prej “kumbarëve” të AI-së moderne.
Lëvizjet u mirëpritën më pas nga miliarderi i teknologjisë Elon Musk në një bisedë mes tyre në qendër të Londrës, gjatë së cilës Musk përshkroi atë që ai e sheh si një të ardhme dramatike të ndryshme për njerëzimin.
“Ne po shohim forcën më shkatërruese në histori këtu”, ka thënë ai.
“Do të vijë një moment ku nuk ka nevojë për punë. Ju mund të keni një punë nëse doni një punë, por AI do të jetë në gjendje të bëjë gjithçka”, ka shtuar ai.
Musk mendon se samiti ka arritur një ndryshim domethënës në zhvillimin e AI-së të avancuar.
“Thjesht të kesh një pasqyrë dhe të jesh në gjendje të theksosh shqetësimet te publiku do të jetë shumë e fuqishme”, ka theksuar ai.
Kurse Sunak ka thënë se marrëveshjet e arritura me shumë vende dhe kompani të AI-së kanë reduktuar ndjeshëm kërcënimin e paraqitur nga teknologjia.
Sidoqoftë, ai u detyrua të mbronte natyrën vullnetare të marrëveshjes së testimit, me qeverinë e tij që refuzoi të prezantonte legjislacionin për të frenuar zhvillimin e AI-së.
Duke shpjeguar se Mbretëria e Bashkuar duhej të lëvizte më shpejt sesa do të lejonte një plan kohor legjislativ, ai ka thënë se “teknologjia po zhvillohet me një ritëm të tillë që qeveritë duhet të sigurohen se ne mund të vazhdojmë”.
Sipas tij, “kërkesat detyruese” ndoshta do të ishin të nevojshme për firmat e AI-së.
Referuar marrëveshjes së shpallur në Bletchley Park, qeveritë dhe kompanitë kanë rënë dakord të punojnë së bashku në testimin e sigurisë së modeleve të reja të AI-së para dhe pasi ato të lëshohen.
Modele si chatbot-i ChatGPT, do të testohen në bashkëpunim me qeveritë kundër një sërë rreziqesh, duke përfshirë sigurinë kombëtare dhe dëmet shoqërore.
Lëvizja vjen pas lëshimit të një urdhri ekzekutiv nga Shtëpia e Bardhë këtë javë që kërkon që firmat e mëdha të teknologjisë të dorëzojnë rezultatet e testimit për modelet e tyre në qeverinë amerikane përpara se të dalin në publik.
Sunak ka bërë me dije se testimi do të udhëhiqet nga institutet e reja të sigurisë së AI-së në SHBA dhe MB, me organin britanik që pozicionohet si një qendër globale për nismën shumëpalëshe.
Marrëveshja e testimit mbështetet nga BE-ja dhe 10 vende, përfshirë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Japoninë, Francën dhe Gjermaninë.
Kompanitë kryesore të AI-së që kanë rënë dakord të testojnë përfshijnë Google, OpenAI, Amazon, Microsoft dhe Meta.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com