Gjykata Speciale

Me dyer të mbyllura deklarohet dëshmitari i 54-të në Speciale


Gjykata Speciale.

Pas përfundimit të dëshmisë së ish-shefit të misionit vëzhgues diplomatik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë (SHBA), Shaun Byrnes, dëshmitari i 54-të në Gjykatën Speciale e ka vazhduar dëshminë e tij në seancë të mbyllur.

Nga Specialja është thënë se gjykimi i tij po vazhdon në seancë të mbyllur për shkak të mbrojtjes së tij.

Para mbylljes së seancës, avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, kërkoi leje nga trupi gjykues që një jurist i tyre i cili nuk ishte bashkëmbrojtës, të bëjë pyetje për dëshmitarin.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III u përgjigj se, “për ata nuk ka ndonjë pengesë dhe se juristi mund të bëjë pyetje”.

Dëshmia e të njëjtit dëshmitar pritet të vazhdojë edhe të enjten.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka vazhduar intervistimin e ish-shefit të misionit vëzhgues diplomatik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë (SHBA), Shaun Byrnes, i cili po dëshmon për herë të pestë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK).

Byrnes, gjatë intervistimit është pyetur sërish rreth lirimit të gazetarëve të Tanjug-ut dhe zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke u pyetur për njohuritë që kishte lidhur me vendndodhjen e Kadri Veselit në atë kohë.

Ai ka thënë se nga të dhënat që figurojnë në pasaportën e Veselit, rezulton që ai nuk ka qenë në Kosovë.

Pas intervistimit nga ana e avokatit Kadri Veselit, trupi gjykues ka liruar Byrnes duke thënë se “dëshmia e tij ka pëfunduar”.

Byrnes, ka pyetur nëse mund të ketë kontakt me Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), edhe pas përfundimit të dëshmisë së tij nga gjyqtari është thënë se ai nuk do të ndërhyjë në këto procedura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore