Mbyllja e postave serbe, Ambasada e Italisë për AP: Jemi të shqetësuar – s’u shqyrtua ndikimi që mund të ketë te qytetarët
Ambasada e Italisë në Kosovë në një përgjigje me shkrim për Albanian Post është shprehur e shqetësuar për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në Veri të hënën nga autoritetet kosovare.
“Ne jemi të shqetësuar nga veprimet e ndërmarra nga autoritetet kosovare për mbylljen e zyrave të postës serbe në veri të Kosovës, pa asnjë konsultim paraprak apo shqyrtim të ndikimit që do të kenë këto mbyllje tek qytetarët e zakonshëm që varen shumë nga këto objekte përmes të cilave përmbushin nevojat e tyre për komunikim”, thuhet në përgjigje.
Në përgjigje po ashtu potencohet se është thelbësore që Qeveria të angazhohet në dialog kuptimplotë dhe konstruktiv për zgjidhjen e këtyre çështjeve kontestuese dhe se procesi i negociatave i lehtësuar nga Bashkimi Evropian përfaqëson kanalin e duhur për të adresuar probleme të tilla dypalëshe në një mënyrë të balancuar dhe gjithëpërfshirëse.
“Vetëm përmes një qasjeje të respektit të ndërsjellë dhe vullnetit për të gjetur zgjidhje të përbashkëta, ne mund t’i kapërcejmë këto tensione dhe të sigurojmë vazhdimësinë e shërbimeve thelbësore për të gjithë popullsinë, pavarësisht nga përkatësia etnike apo kombëtare. Në këtë kontekst, është thelbësore që të dyja palët të demonstrojnë një përkushtim të sinqertë për dialogun dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve”.
Ndërsa, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë deklaroi se është e zhgënjyer nga Qeveria e Kosovës për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në Veri të vendit, duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.
Si Uashingtoni ashtu edhe Brukseli aksionin në fjalë e cilësuan si një “veprim të njëanshëm e të pakoordinuar”. Megjithatë reagimet e shumta me tone tejet kritike e shqetësuese në këtë drejtim nuk i ka bërë fare përshtypje Qeverisë së Kosovës.
Përkundrazi autoritetet kosovare, të martën, e kanë mbrojtur aksionin për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë, pa u shqetësuar për dëmtimin e mëtejshëm të raporteve edhe ashtu të përkeqësuara me komunitetin ndërkombëtar.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e cilësoi si diçka “shumë normale” aksionin e autoriteteve të Kosovës i ndërmarrë me 5 gusht.
“Çfarë janë duke bërë institucionet e Kosovës është shumë normale. Ato nuk kanë pasur licencë”, tha ai në një prononcim të shkurtër për media.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë