Lajme

Mbretëria e Bashkuar paralajmëron organizatat të rishikojnë përdorimin e antivirusit rus


Në Mbretërinë e Bashkuar, Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike ka thënë se më shumë organizata duhet të rishqyrtojnë rrezikun e përdorimit të teknologjisë ruse.

Në paralajmërim përfshihet edhe software-i antivirus Kaspersky.

Sakaq, për shumicën e përdoruesve individualë, qendra ka specifikuar se është e sigurt ta përdorin atë.

Kohët e fundit, edhe Gjermania ka sugjeruar zëvendësimin e antivirusit rus Kaspersky.

Me seli në Rusi, firma ka thënë se paralajmërimet gjermane ishin “të bëra mbi baza politike”.

Qendra, në vitin 2017, njoftoi se do t’u shkruante të gjitha departamenteve qeveritare, duke paralajmëruar kundër përdorimit të produkteve Kaspersky për sistemet që lidhen me sigurinë kombëtare.

Por, në njoftimin e fundit, ka bërë me dije se nuk ka asnjë provë që shteti rus synon të nënshtrojë produktet dhe shërbimet tregtare ruse për të shkaktuar dëme ndaj interesave të Mbretërisë së Bashkuar”.

Megjithatë ka shtuar se mungesa e provave nuk është dëshmi e mungesës.

Tanimë, institucioni po u kërkon më shumë grupeve të rishqyrtojnë përdorimin e teknologjisë së kontrolluar ruse.

Në to përfshihen organizata të sektorit publik, që nuk mbuloheshin nga udhëzimi i vitit 2017, organizatat që ofrojnë shërbime në Ukrainë, ato që nëse komprometohen mund të përfaqësojnë një fitore të Rusisë dhe ato që ofrojnë shërbime në lidhje me infrastrukturën kritike.

Paralajmërimet e Gjermanisë

Më herët, Zyra Federale e Gjermanisë për Sigurinë e Informacionit ka bërë me dije se prodhuesit rusë të IT-së mund të detyrohen kundër vullnetit “të sulmojnë sistemet e synuara ose të spiunohen” si viktimë e një operacioni kibernetik pa dijeninë e tyre.

Edhe ky institucion nuk ka gjetur prova të problemeve aktuale me produktet Kaspersky, por ka rekomanduar që produktet e tij antivirus të zëvendësohen.

E gjitha me kujdesin për të shmangur dobësimin e mbrojtjes.

Në përgjigje, firma ka thënë se vendimi “nuk bazohej në një vlerësim teknik të produkteve Kaspersky” dhe si një kompani private globale e sigurisë kibernetike “nuk ka asnjë lidhje me Rusinë apo ndonjë qeveri tjetër”.

Mirëpo, paralajmërimi gjerman ngriti nivelin e shqetësimit publik.

 

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore