Gjykata Speciale

Mbështetja financiare për ish-krerët e UÇK-së duhet të rritet, është obligim i institucioneve


Foto nga Albanian Post

Rritja e mbështetjes financiare për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale, ashtu edhe siç është kërkuar nga ekipet mbrojtëse të tyre, sipas njohësve të çështjeve juridike, duhet të bëhet me patjetër, pasi që ka bazë ligjore, dhe se një gjë e tillë është përgjegjësi e institucioneve.

Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, dy nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në procesin e gjykimit në Gjykatën Speciale me seli në Hagë të Holandës, ku po përballen akuzat për krime të pretenduara lufte, kanë mbetur pa avokatët kryesorë të tyre.

Për të dy këto raste është raportuar se shkak i largimit të avokatëve kryesorë të ish-Presidentit të Kosovës dhe ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës kanë qenë mjetet financiare, pra mungesa e tyre.

Në këtë drejtim, Kryeministrit Albin Kurti, Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca dhe Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, më 12 gusht, u është dërguar një kërkesë për mbështetje financiare për nevojat e mbrojtjes juridike të Thaçit.

Kërkesa është bërë nga ish-këshilltari i Thaçit, Ismail Syla, aktualisht Kryetar i Bordit të Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit, në një kohë kur avokatët kryesorë të ish-presidentit dhe ish-kryeparlamentarit, janë tërhequr nga mbrojtja e tyre për shkak të mjeteve financiare.

Në lidhje me rritjen e mbështetjes financiare nga institucionet kosovare dhe aspektin juridik të kësaj çështje, Albanian Post ka biseduar me dy juristë.

Avokati Ardian Bajrakatari, shpjegon për AP se mbrojtja juridike, duke ju siguruar të gjithë personave të akuzuar të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë që paguhen nga Buxheti i Kosovës, është obligim ligjor.

“Këtë e parasheh Ligji për Mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, i miratuar në po të njëjtën ditë kur është miratuar Ligji për Dhomat e Specializuara”, thotë ai për AP.

Çështja e mjeteve financiare, sqaron Bajraktari, “nuk duhet me qenë problem, për t’u siguruar mbrojtje cilësore”.

“Ngase ndarjes e mjeteve për realizimin e kësaj të drejte është përgjegjësi e Kuvendit, ku neni 6 i Ligjit thekson se Kuvendi merr vendim për ndarjen e mjeteve të caktuara për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të përcaktuar me këtë ligj dhe me aktet përkatëse nënligjore që nxirren nga Ministria e Drejtësisë për zbatim të këtij Ligji”, pohon ai për AP.

Pra, eksperti i çështjeve juridike shpjegon se është përgjegjësi e institucioneve shtetërore, “para së gjithash e Kuvendit që në funksion dhe me qëllim të sigurimit të një mbrojtje cilësore të ish-krerëve të UÇK-së”.

“Të jenë në nivel të detyrës dhe funksionit dhe rrjedhimisht, të reflektojnë në raport me ri-konfirmimin e pastërtisë së luftës së popullit të Kosovës për liri të udhëhequr nga e lavdishmja Ushtri Çlirimtare e Kosovës, dhe e përkrahur nga bota demokratike, me në krye NATO-n.

Se mbështetja financiare për ish krerët e UÇK-së nuk duhet të kufizohet në shuma të caktuara e pohon edhe avokati Arbër Jashari.

Shteti, thotë Jashari për AP, duhet të jap aq para, sa është e nevojshme, për një mbrojtje efektive ligjore.

“Nëse Ligji ose akte nënligjore të caktuara, janë pengesë për arritjen e këtij qëllimi, ato duhet të ndryshohen, në mënyrë qe t’i hapet rrugë mbështetjes më të madhe financiare, për qëllim të mbrojtjes”, potencon.

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për të paguar një kompani të avokatisë për secilin nga të akuzuarit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës. Nëse të akuzuarit duan avokatë të tjerë, atëherë ata i angazhojnë privatisht dhe jashtë marrëveshjes ekzistuese.

Arsyeja përse duhet të angazhohen avokatë privatë, ka të bëjë kryesisht me buxhetin e limituar të Qeverisë së Kosovës të paraparë për ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët akuzohen për krime të pretenduara lufte. Në total janë rreth 20 milionë euro që shfrytëzohen nga të akuzuarit.

Të gjithë të akuzuarit ose të autorizuarit e tyre duhet të plotësojnë një kërkesë zyrtare për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike. Në këto shpenzime mund të përfshihen të gjitha shërbimet që i kryen ekipi mbrojtës, duke përfshirë edhe shpenzimet e zyrës dhe telefonatave.

Pos mbulimeve të shpenzimeve të përfaqësimit ligjor, shteti paguan edhe për të gjitha shpenzimet e vizitave të familjarëve të personave të akuzuar nga Dhomat e Specializuara.

Çka ndodhi?

Fillimisht, nga ekipi i mbrojtës i ish-Drejtorit të Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, ishte larguar avokati Gregory Kehoe, në janar të këtij viti.

Lajmi ishte konfirmuar në një deklaratë që e kishin lëshuar Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, ‘Associates Greenbuerg Legal’ dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe Thaçi i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimin nëse nuk u përmbushet detyrimi”.

Por, familjarë të Thaçit kishin treguar për mediat se avokati Gregory Kehoe ishte njoftuar për mosvijimin e kontratës në vitin 2024 dhe se mbrojtjen do ta bënte avokati kroat Luka Misetiç.

Lidhur me këtë rast, Ministria e Drejtësisë, përmes një komunikate për media, njoftonte se është përgjegjëse vetëm për pagesën ndaj avokatit kroat Luka Mishetiç dhe jo ndaj avokatëve tjerë të angazhuar në mënyrë private nga ish-krerët e UÇK-së.

Gregory Kehoe dhe Joe Reeder, avokatët e Thaçit, të cilët u tërhoqën nga ekipi i mbrojtjes për shkak të mosrealizimit të pagesave, nuk janë paguar ngase ata dhe kompania “Greenberg Legal Associates” nuk kanë pasur asnjëherë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës.

Disa muaj pas tërheqjes së avokatit kryesor të Thaçit, u njoftua edhe largimi nga mbrojtja edhe i avokatit kryesor të Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Kjo u konfirmua të mërkurën nga Gjykata Speciale, e cila njoftoi se e ka miratuar kërkesën e avokatit Ben Emmerson, për tërheqje nga ekipi i mbrojtjes së Veselit.

“Më 21 gusht 2024, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët miratoi përfundimin e përfaqësimit ligjor të Kadri Veselit nga mbrojtësi Ben Emmerson”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK).

Aty theksohet se Veseli dhe Emmerson u pajtuan me këtë vendim, duke bërë që Trupi Gjykues të aprovojë përfundimin e përfaqësimit ligjor për arsye të vlefshme.

“Gjithashtu, Trupi Gjykues u bind se do të sigurohet vazhdimësia e përfaqësimit të Veselit dhe se ndryshimi i kryembrojtësit nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor”.

Bëhet me dije se vendimi do të hyjë në fuqi pasi të caktohet kryembrojtësi i ri dhe Administratorja e DHSK-së ftohet të marrë të gjitha masat e nevojshme sa më shpejt që të jetë e realizueshme.

Emmerson në Kosovë ka qenë një emër i njohur, për shkak se e ka mbrojtur edhe ish-Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në fund u lirua nga çdo akuzë për krime lufte.

Në karrierën e tij profesionale, Emmerson ka punuar në shumë raste dhe për shumë qeveri, dhe është një nga avokatët më eminentë në botë.

Ish-Kryeministrja britanike, Theresa May, duke folur për figurën e Emmerson-it, e kishte cilësuar si një ndër avokatët më të mirë që ka Britania e Madhe.

“Një nga avokatët më të dalluar të Britanisë në fushën e ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar për të drejtat e njeriut”, kishte thënë May.

Pas tërheqjes së Emmersonit pati reagim edhe nga Ministria e Drejtësisë. Sipas tyre, Emmerson nuk është larguar nga ekipi i mbrojtjes së Veselit për shkak të pagesave, derisa ka treguar edhe shumën e të hollave që deri më tani kanë paguar ndaj tij për mbrojtjen e Veselit.

Ky reagim i Ministrisë së Drejtësisë ka ardhur pas disa raportimeve se Emmerson është larguar nga ekipi mbrojtës i Veselit për shkak të mungesës së fondeve.

“Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës përmes këtij reagimi demanton lajmet e pabaza dhe tendencioze që po përhapen rreth pagesave për avokatët e angazhuar në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së pranë Dhomave të Specializuara në Hagë”, thuhet fillimisht në reagim.

Për sqarim të opinionit publik, deri më tani, Ministria e Drejtësisë ka theksuar se ka paguar një shumë totale prej 26,179,562 eurosh (njëzet e gjashtë milion e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy euro) për mbrojtjen e personave që po mbahen në paraburgim.

“Pretendimet se Ministria nuk po i paguan mjaftueshëm avokatët janë krejtësisht të pavërteta”.

Personat që tërhiqen nga detyra e tyre mund të gjejnë justifikime të ndryshme, por, sipas mistrisë që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu, “pagesa e ulët nuk është një prej tyre”.

“Avokati Ben Emmerson, i cili përfaqëson z. Kadri Veseli, ka përfituar nga Ministria e Drejtësisë një shumë prej 4,019,724.91 euro (katër milion e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e njëzet e katër euro e nëntëdhjetë e një cent)”, thuhet tutje.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka nisur në prill të vitit 2023. Të gjithë këta ishin arrestuar më 5 nëntor 2020, dhe gjenden në paraburgim që atëherë.

Ata akuzohen për krime të pretenduara lufte dhe krime të pretenduara kundër njerëzimit, të cilat i kanë mohuar dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore