Kosova

MASHT-i nuk e ndryshon procesin për sigurimin e librave, pavarësisht sfidave të vitit të kaluar


Foto: Albanian Post

I njëjti proces për sigurimin e librave si vitin e kaluara do të vijojë edhe gjatë vitit shkollor 2024/25 – ndonëse ky proces kishte paraqitur probleme të shumta për prindërit pasi që i njëjti kishte detyruar fëmijët e tyre që të nisin vitin shkollor me mungesë të librave, kjo pasi që në numrin më të madh të librarive të Kosovës, menjëherë u krijuan probleme për sigurimin e mjaftueshëm të librave.

Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes një përgjigje dërguar Albanian Post-it pas takimit të ministres së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, me drejtorët komunal të arsimit ka theksuar se të njëjtit ia kanë shprehur shqetësimin që me 1 shtator nxënësit s’do t’i kenë të gjithë librat shkollor duke u bazuar në kohën e shkurtër në dispozicion.

“Ka pasur kërkesa nga drejtorët komunal, bazuar në përvojat e tyre, që procesi i shpërndarjes së teksteve mësimore të bëhet duke i dërguar drejtpërdrejtë nëpër shkolla sepse MASHTI i posedon të gjitha informatat për nr e nxënësve për secilën shkollë”.

Megjithatë, drejtorët shprehen gatishmëri për ta ndihmuar këtë proces sipas mënyrës së MASHT-it.

“Përkundër vonesave në procedura nga ministria, drejtorët e DKA-ve u shprehën të gatshëm ta ndihmojnë procesin brenda kompetencave të tyre vetëm që nxënësit të kenë të gjitha tekstet shkollore në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor”.

Deri në vitin shkollor 2023/24, shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.

Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.

Me arsyetimin se nuk janë marrë vesh për çmimet, Ministria e Arsimit ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.

Përveç se është komplikuar procesi, meqë tash prindërit angazhohen të pyesin njëherë në shkollë se çfarë libra duhet të blejnë, më pas të dalin t’i blejnë ato vetë, të aplikojnë në e-Kosova, ta mbushin formularin dhe të presin rimbrusimin.

Për më tepër, i gjithë plani nuk bënte as sens ekonomik, nëse qëllimi ka qenë shpenzimi më i vogël.

Tani, në vend që ministria të paguajë direkt shtëpitë botuese duke e paguar librin aq sa e shet shtëpia botuese, librat do të blihen nga dora e dytë në librari, ku futet edhe fitimi i librarit që shet librin të cilin paraprakisht e ka blerë nga shtëpia botuese.

E njëjta Qeveri në vitin 2022 nuk kishte gjetur zgjidhje për fillimin e procesit mësimor, kjo pasi sindikatat kishin hyrë në grevë për të kërkuar rritje të pagave.

Në vitin 2022, greva që nisi rezultoi të jetë greva më e madhe që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

Mbi 4 javë greva, kjo s’ka ndodhur qe 20 vjet në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore