Ministria marokene e Kulturës ka akuzuar Adidas-in se ka përvetësuar kulturën vendase në fanellat e saj të reja për ekipin e futbollit të Algjerisë.
Nga ana tjetër, vetë firma ka thënë se dizajni ishte frymëzuar nga Pallati Mechouar në Algjeri.
Sipas avokatit të ministrisë, dizajni gjeometrik me ngjyrë blu, kafe dhe të verdhë është një model i quajtur zellige, i cili është i zakonshëm në mozaikët maroken.
Sakaq, avokati Mourad Elajouti ka njoftuar se ka lëshuar një paralajmërim ligjor për Adidas-in, në emër të Ministrisë së Kulturës së Marokut.
Ai, në një letër drejtuar shefit ekzekutiv të kompanisë Kasper Rorsted, ka thënë se dizajni i ri ishte përvetësim kulturor dhe “një përpjekje për të vjedhur një formë të trashëgimisë kulturore marokene dhe për ta përdorur atë jashtë kontekstit”.
Po ashtu ka kërkuar që marka e veshjeve sportive të heqë dizajnin brenda dy javësh.
Elajouti ka shtuar gjithashtu se kompleti i sezonit 2022-2023 të Algjerisë “kontribuon në humbjen dhe shtrembërimin e identitetit dhe historisë së këtyre elementeve kulturorë”.
Algjeria dhe Maroku ndajnë një kufi rreth dy mijë kilometrash, i cili ka qenë burim tensioni që nga pavarësia nga sundimi kolonial francez.
Kufiri u mbyll në vitin 1994 për arsye sigurie pasi militantët islamikë bombarduan një hotel në qytetin historik maroken të Marrakesh-it.
Kohët e fundit, Algjeria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me fqinjin e saj, duke e akuzuar atë për “akte armiqësore”.
Kurse Maroku e ka quajtur masën “plotësisht të pajustifikuar”.
Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com