Të mërkurën e 24 prillit, Maqedonia e Veriut, do zhvillojë raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Në garë janë shtatë kandidatë, dy prej tyre shqiptarë.
Bujar Osmani garon nën siglën e “Frontit Evropian”, i udhëhequr nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ndërsa Arben Taravari, është mandatuar nga koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN”, që kanë mbështetjen edhe të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Mirëpo, duke ditur që shqiptarët nuk janë shumicë në Maqedoni të Veriut, atëherë gjasat që njëri nga ta të kalojë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 8 maj, që do të mbahen së bashku me ato parlamentare, janë tejet të vogla.
Shumë kush, garën e 24 prillit ndërmjet kandidatëve shqiptarë e ka parë si test që partitë politike, përkatësisht “Fronti Evropian” dhe “VLENI” po e bëjnë për zgjedhjet parlamentare.
Dy janë pretendentët kryesorë për të marrë drejtimin e shtetit maqedonas. Stevo Pendarovski (61-vjeçar), nga LSDM-ja, i cili po kërkon një mandat të dytë pesëvjeçar dhe Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE (70-vjeçare), e cila ri-kandidon kundër Pendarovskit.
Kandidatë të tjerë janë edhe Stevço Jakimovski, kryetar i komunës së Karposhit – i shpallur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – Profesoresha e Drejtësisë, Biljana Vankovska, e mandatuar nga e majta ekstreme “Levica” dhe kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Lidhur me procesin e zgjedhjeve të së mërkurës, Albanian Post ka biseduar me njohësin e zhvillimeve politike në Maqedoni të Veriut, Nuri Bexheti.
Profesori universitar është shprehur i bindur se nuk do të ketë fitues në raundin e parë, derisa bëri edhe prognozën e tij sa i përket fituesit të raundit të parë, si në kampin maqedonas, ashtu edhe në atë shqiptar.
“Në taborin maqedonas, meqë vota është e përçarë, kandidatja e VMRO-DPMNE-së, mund të fitojë më shumë vota, por do të ketë raund të dytë gjithsesi”, tha Bexheti për AP.
Sa i përket shqiptarëve, Profesori i Historisë, parashikon fitore të thellë të kandidatit të propozuar nga Ali Ahmeti.
“Në taborin shqiptar, pres që kandidati i ‘Frontit Evropian’, Bujar Osmani, të ketë një diferencë të thellë, përafërsisht 2\1, në raport me kandidatin e VLEN-it, Arben Taravari”, beson.
Se në zgjedhjet presidenciale partitë politike do të masin forcat e tyre për zgjedhjet parlamentare e pohon edhe Bexheti, ndonëse s’e konsideron opsionin më të mirë, paçka se në kontekstin aktual e arsyeton.
“Më e mira do të ishte sikur shqiptarët të kishin një kandidat të përbashkët, por mesa shihet të gjithë duan t’i masin forcat për ta parë se sa vota mund të grumbullojnë, për ta kalkuluar 2 javë më vonë se sa deputetë mund të prodhojnë”, shtoi.
Ndryshe, rreth 1.8 milionë qytetarë të Maqedonisë së Veriut të mërkurën do t’i drejtohet kutive të votimit për të zgjedhur kreun e shtetit.
Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale të këtij shteti, që nga pavarësimi i tij nga Republika Federale e Jugosllavisë, në vitin 1991.
Gjasat janë maksimale që të ketë raund të dytë, i cili mbahet më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë