Kosova

LVV preferon 2 shkurtin si datë të zgjedhjeve, pritet vendimi i Osmanit


Albin Kurti

2 shkurti është data e propozuar nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Data në fjalë është propozuar në letrën që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia ka dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, meqë ai nuk mori pjesë në takimin konsultativ që Osmani kishte zhvilluar me partitë parlamentare për të diskutuar pikërisht për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Në takimin në fjalë partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK – njëzëri vendosën që data më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të jetë 26 janari.

Si datë eventuale e zgjedhjeve parlamentare, gjatë takimit konsultativ, ishte parashtruar edhe 9 shkurti ose 16 shkurti.

Pas propozimeve, Osmani pritet që gjatë javës tjetër të vendos për datën e zgjedhjeve parlamentare.

“Të gjitha partitë i kanë ngritur çështjet e tyre, por në fund është diskrecion i institucionit të Presidencës për ta zgjedhur datën që ne e vlerësojmë që është me e përshtatshme”, tha ajo në një prononcim për media, të enjten, gjatë vizitës së Komunës së Vitisë.

Osmani gjithashtu potencoi se data e kërkuar nga opozita në njërën anë e nga partia në pushtet në anën tjetër nuk shkakton ndonjë diferencë të madhe.

“Nuk besoj që ka ndonjë dallim një javë më shumë e një javë më pak, nuk besoj që bën ndonjë diferencë të madhe edhe për partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje”, tha ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore