Kosova

Lutfiu takon ambasadoren gjermane, e njofton për diskriminimin që Serbia ua bënë shqiptarëve


Nevzad Lutfiu dhe Anke Konrad

Diskriminimi sistematik që Serbia po ua bënë shqiptarëve në Luginë të Preshevës, ka qenë tema që Kryetari i Këshillit Kombëtar (KKSh), Nevzad Luftiu, e ka ngritur gjatë takimit që ka pasur këtë të premte me ambasadoren e Gjermanisë në Beograd, Anke Konrad.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Lutfiu theksoi se në këtë takim ka përmendur problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës së Preshevës “si rezultat i mosnjohjes së diplomave të Kosovës”.

“Me këtë rast përmenda domosdoshmërinë e respektimit të marrëveshjes së Berlinit për njohjen e diplomave”, shkroi.

Kreu i KKSh-së, ambasadoren gjermane i ka treguar një shembull konkret për këtë çështje, atë të doktor Xhemail Fejzullahut, i cili është specialist i oftalmologjisë, por për shkak që nuk i njihet diploma e Kosovës nuk ka mundësi që ta ushtrojë profesionin e tij.

“Ndërsa në shtëpinë e shëndetit në Bujanoc nuk kemi oftamolog kurse qytetarët për këtë shërbim duhet ta vizitojnë spitalin e Vranjës”.

Foto: Nevzad lutfiu

Luftiu ka ngritur si shqetësim edhe mosrespektimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë të nënshkruara me palën shqiptare të Kosovës në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE, si dhe mosrespektimin e detyrimeve që Serbia i ka marrë nga procesi i integrimit në BE.

“Gjithashtu përmes fotografive e njoftova shkëlqesinë e saj, Konrad për gjendjen e shkollave shqipe”.

Shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës janë të shtypur sistematikisht nga institucionet e Serbisë.

Madje, atyre nuk iu lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Së fundmi një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin amerikan është pasivizimi i adresave që Serbia po i bënë shqiptarëve atje, posaçërisht në Medvegjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore