Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Serbi, Nevzad Lutfiu, është takuar në Bujanoc – komunë e banuar me shumicë shqiptare – me drejtorin e trupit koordinues, Nenad Mitroviç, të cilin e ka bërë edhe bashkëpërgjegjës për diskriminimin që Serbia ua bënë shqiptarëve në Serbi, pasi që i njëjti vjen nga radhët e Partisë Progresive Serbe (SNS) – e cila ka pushtetin atje.
“Me fakte, i shprehëm të gjitha format e diskriminimit që po i bën Serbia ndaj komunitetit shqiptar, e që përgjegjës për këtë diskriminim e konsiderojmë dhe Mitroviçin meqë ka mbajtur pozicione të rëndësishme dhe i takon subjektit që po udhëheq për një dekadë me Serbinë”, ka shkruar Luftiu në Facebook.
Sipas kreut të KKSH-së, për sjellë ditë më të mira për komnunitetin shqiptar që jeton në Serbi, “është shumë e rëndësishme që me njëri-tjetrin të mos takohemi tinëz për të diskutuar interesa personale e partiake, por në vende publike t’i diskutojmë interesat e qytetarëve tanë”.
“Do ta falënderoj publikisht Mitroviç-in dhe çdo tjetër që realizon projekt në dobi të komunitetit shqiptar, por për sa kohë që gjendja e shqiptarëve të jetë e tillë, zëshëm do ta ngrisim zërin kundër padrejtësive”, përfundoi ai.
Shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës janë të shtypur sistematikisht nga institucionet e Serbisë.
Madje, atyre nuk iu lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.
Së fundmi një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin amerikan është pasivizimi i adresave që Serbia po i bënë shqiptarëve atje, posaçërisht në Medvegjë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com