Një kolazh me pesë foto të shkrepura në Paris, Berlin, Bruksel, Tiranë dhe Luginën e Vjosës, me mbishkrimin “Vjosa National Park Now” (Vjosa Park Kombëtar Tani), i është dhuruar sot Komisionerit Evropian për Mjedisin, Virginijus Sinkevičius-it.
Nisma me dhuratën për Komisionerin në ditën Ndërkombëtare të Ujit, është e rradhës në kuadër të një sërë aktivitetesh që prej gjashtë vitesh tashmë, synojnë të çojnë vëmendjen te çështja e Lumit Vjosa. Fushata për mbrojtjen e lumit, e nisur nga disa organizata shqiptare dhe të huaja, ka bërë bashkë ekspertë, aktivistë, sipërmarrës e politikanë ndërkombëtarë.
Ajo ka patur rritje të vazhdueshme, teksa sot njeh një nivel të ri ndërkombtarizimi politik. Nisma ishte sot e ulur këmbëkryq në godinën e ekzekutivit të Bashkimit Evropian.
“Ne e mbështesim përcaktimin e zonave të mbrojtura në të gjitha shtetet, përfshirë Shqipërinë dhe lumin madhështor të Vjosës që ajo ka” shkruan Sinkevičius-i në Twitter, në postimin me marrjen e dhuratës.
Takimi me Komisionerin i parapriu një takimi tjetër mes ekspertëve, aktivistëve e politikanëve evropianë të angazhuar në fushatën për mbrojtjen e godinës, i mbajtur në të njejtën godinë në Bruksel.
Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania-s tha se është përzgjedhur me kujdes metafora e shpalosjes së mesazhit nëpër vende ikonike të trashëgimisë kulturore të këtyre kryeqyteteve. “Është e paimagjinueshme të prishen këto monumente në kryeqytetet evropiane, kështuqë përse duhet të mendojmë ndryshe për këtë lumë të pacënuar që ka qënë pjesë e trashëgimisë tonë kulturore për mijëra vite?” tha ai gjatë prezantimit.
Vjosa kërcënohet prej kohësh nga ndërtimi i rreth 45 hidrocentraleve e 8 digave të mëdha përgjatë rrjedhës së saj. Qeveria shqiptare ka dhënë më herët me konçesion dy hidrocentrale, përkatësisht të Kalivaçit dhe Poçemit. Më vonë, janë tërhequr nga vendimmarrja duke marrë në konsideratë ndikimin e lartë mjedisor që kishin projektet e paraqitura.
Në 2017 çështja u duk se mori zgjidhje. Një valë e vëmendjes së politikës ndaj kësaj çështjeje, solli premtimin për kthimin e rrjedhës së Vjosës në një park kombëtar. Automatikisht, kjo do të thoshte ndalimin e ndërtimit të digave përgjatë lumit.
Mirëpo, së fundmi, aktivistët druhen se janë riaktivizuar rrisqet të cilat i kanosen pacënueshmërisë së lumit, me kornizën ligjore që nuk garanton mbrojtje për të. Nika tregon se propozimi i qeverisë është një park kombëtar i nivelit katër, i cili nuk ofron mbrojtje nga ndërtimi i digave. Niveli dy është ambicia e organizatave, e që do të kopsiste pacënueshmërinë e lumit edhe nga ana ligjore.
Në debatin për impaktin ekonomik të ndërtimit të digave, Nika argumenton se nuk është ky modeli më i mirë zhvillimor për Lumin Vjosa, por as për prodhimin e energjisë në vend. “Ka studime që krahasojnë opsione të ndryshme të përdorimit te Vjosës me diga dhe përdorimit me burime të tjera të energjise që tregojnë sesa jo i leverdishëm në terma aftamesëm e afatgjatë është ndërtimi i HEC-eve ne Kalivaç e Poçem” tha ai për AlbanianPost.
“Studime të tjera vertetojne se konçesionet 30-35 vjeçare në Vjosë në fakt janë jo vetëm të palevërdishme por mund të kthehen në një fature të “kripur” për taksapaguesit/konsumatoret e energjisë, për shkak të sfidave mbi menaxhimin e materialeve inerte (sedimenteve) nga operimi i HEC-eve” shpjegon Nika.
Ulrich Eichelmann, drejtues i organizatës “RiverWatch”, është i mendimit se Vjosa duhet t’i japë përfitime komuniteteve të zonës, me EkoTurizmin që do të sjellë të ardhura të rëndësishme për banorët. Pyetjes së AlbanianPost se a do të vinte në rrezik të prodhimin e energjisë në vend mosshfrytëzimi i Lumit të Vjosës, ai iu përgjigj se HEC-et nuk janë më zgjidhje për Shqipërinë.
“Vendi juaj prodhon gati 100% të energjisë elektrike me anë të HEC-eve. Mos diversifikimi i burimeve të energjisë nuk është zgjedhje inteligjente për askënd. Efektet e ndryshimeve klimatike do të ulin rendimentin e HEC-eve me 20%, teksa ofrojnë mundësi të shtuara [energjia diellore] për vende si Shqipëria me 320 ditë me diell në vit” tha ai.
Ndërkohë deputeti i koalicionit të gjelbër në Parlamentin Evropian, Thomas Waitz, tregon se Shqipëria mund të përfitojë prej burimeve të konsiderueshme financiare që ka në dispozicion për të promovuar inciativat e gjelbra, përfshirë kthimin e Lumit Vjosa në park kombëtar.
“Asnjë vend nuk mund ta përballojë vetë kthimin e 300 km lumë në park kombëtar, aq më pak Shqipëria. Por Fondet IPA III* janë një mundësi shumë e mirë financiare. Po ashtu, Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka fonde të mbetura që i dedikohen pikërisht këtyre çështjeve” tha ai. Ai përmbylli duke theksuar se Lumi Vjosa është një çështje evropiane aq sa shqiptare. “BE-ja duhet të ndihmojë me ekspertizë dhe instrumente financiare këtë projekt” tha europarlamentari.
Hashtagu që shoqëron postimin e Komisionerit, “EU Green Deal” është nisma ambicioze e Bashkimit Evropian e cila synon të transformojë ekonomitë dhe komunitetet, duke i bërë ato të gjelbra. Me Vjosën, vendi jonë ka një shans të artë për të konsoliduar miqësinë me mjedisin në momentin më delikat të saj. Kthimi në park kombëtar jep garancitë e nevojshme ligjore, dhe e vë Shqipërinë në pararojë të standarteve më të lartë në ruajtjen e ekosistemit, me të vetmin lumë të egër në Evropë.
*Fondet IPA III janë instrumenti financiar i vënë në dispozicion nga BE-ja për vendet e Ballkanit Perendimor në përgatitjet e tyre për anëtarësimin në BE.
Celebrating #WorldWaterDay meeting @EuroNaturORG & @thomaswaitz!
Protecting & restoring free flowing rivers is an #EUBiodiversity Strategy goal!
We support the designation of protected areas in all countries including in Albania & its majestic Vjosa river!#EUGreenDeal pic.twitter.com/gDb7azRDQg— Virginijus Sinkevičius (@VSinkevicius) March 22, 2021
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore