Operatorët e agjencive turistike këtë vit kishin parashikuar një rritje të numrit të vizitorëve të huaj, pas heqjes së kufizimeve të COVID-19.
Mirëpo, lufta që ka përfshirë Ukrainën dhe Rusinë pritet t’i japë efektet e para edhe në Shqipëri, në sezonin veror që merr jetë së shpejti.
Kjo luftë, edhe pse jashtë kufijve të vendit tonë, do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në këtë sezon turistik.
Sipas statistikave, përgjatë vitit 2021, në territoret shqiptare, kanë hyrë 110 mijë shtetas ukrainas, rreth 36 mijë shtetas nga Rusia.
Përveç Rusisë, pritet edhe një mungesë nga shtetet si Bjellorusia, e cila vitin e fundit solli në Shqipëri 2 mijë e 500 turistë.
Sipas Institutit Shtetëror të Statistikave (INSTAT), pjesëmarrja e turistëve nga këto tri shtete përbën afro 3 për qind të totalit të turistëve në Shqipëri.
Me një llogaritje të thjeshtë, ndikimi financiar mund të arrijë deri në 70 milionë euro minus.
Rrahman Kasa, kreu i Unionit të Turizmit, në një prononcim për Albanian Post thekson se kjo do të ndikojë negativisht në këtë sezon, duke sjellë kështu humbje të mëdha ekonomike.
“Në këto vende ka dhe një kohëzgjatje të turizmit, e cila shkon në 5 muaj. Llogaritet se turistët nga vendet e Evropës Lindore i dhurojnë sektorit mbi 70 milionë euro gjatë verës. Ekonomia jonë do të ketë një humbje të konsiderueshme nga mungesa e këtij tregu në Shqipëri”, shpjegon ai.
Kasa thekson se, vetëm këtë sezon priteshin që në tokën shqiptare të uleshin 24 aeroplanë çarter në javë, kryesisht nga Ukraina, por konflikti atje me shumë gjasë mund të sjellë anulim kontratash.
“Kështu s’ka si të vazhdojë të ketë turizëm, sepse askush nuk e ka mendjen te turizmi”, thotë ai.
Po ashtu, edhe operatorët turistikë janë shprehur se këtë vit pritej një rritje e kërkesave nga këto vende, por tashmë shpresat janë shuar.
Përfaqësuesja e një hoteli në Sarandë, Iva Seiti, në një prononcim për Albanian Post, thotë se turistët ukrainas sa kishin nisur ambientimin me plazhet e jugut.
Ajo rrëfen se kërkesat vitin e kaluar ishin shtuar, duke qenë se ata ishin të kënaqur me Shqipërinë, me çmimet dhe me cilësinë e detit.
“Lufta do të ndikojë drejtpërsëdrejti ne ecurinë e prenotimeve. Kjo na është konfirmuar nga agjencitë turistike që sillnin vizitorët e huaj në Sarandë”, thotë Seiti.
Sipas saj, agjencitë i kanë konfirmuar se edhe paketat e prenotuara një vit më parë nga turistët ukrainas janë anuluar.
Ajo shprehet se sezoni turistik pritet të nisë më shpejt – por edhe këtë vit me probleme.
Për Kasën, lufta në këto vende do t’i zerojë turistët.
Ndërkohë kjo luftë – sipas tij– erdhi në një moment, kur shifrat e turistëve nga këto vende sa ishin rritur.
Kjo pasi, krahasuar me vitin 2016, numri i turistëve ukrainas është tetëfishuar.
Po ashtu, në 6 vitet e fundit në Shqipëri kanë hyrë mbi 132 mijë turistë rusë.
Ata, së bashku me turistët nga vendet e tjera gjatë 9 muajve të parë të vitit të kaluar, kanë shpenzuar rreth 1.47 miliardë euro në Shqipëri.
Turizmi në vend, sipas ekspertëve, është një sektor jetësor për ekonominë shqiptare dhe zhvillimin e saj.
Kjo luftë duket se do të shterojë mundësinë e ardhjes së turistëve dhe pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në këtë sektor.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore