Lajme

Luanët e një kopshti zoologjik në Pakistan dalin në ankand


Në Pakistan, një kopsht zoologjik po nxjerr në ankand një duzinë luanësh për koleksionistët privatë për të liruar hapësirë.

Kopshti zoologjik Lahore Safari ka aq shumë kafshë të mëdha sa luanët dhe tigrat duhet t’i marrin me radhë për të hyrë në pellgje.

“Jo vetëm që do të çlirojmë më shumë hapësirë, por edhe shpenzimet tona për mishin për t’i ushqyer ata do të ulen”, ka thënë Tanvir Ahmed Janjua, zëvendësdrejtor i kopshtit zoologjik.

Aktualisht, kopshti zoologjik është shtëpia e 29 luanëve dhe zyrtarët planifikojnë një ankand më 11 gusht për të shitur 12 prej tyre, të moshës nga dy deri në pesë vjeç.

Po ashtu ka edhe gjashtë tigra rezidentë dhe dy jaguarë.

Por konservatorët kanë dalë hapur kundër shitjes së tyre.

Grupi mjedisor WWF ka thënë se krijesat duhet të zhvendosen në kopshte zoologjike të tjera ose femrat të sterilizohen.

“Shkëmbimi i kafshëve dhe donacionet midis kopshteve zoologjike janë një praktikë e pranuar gjerësisht”, ka treguar Uzma Khan nga organizata.

“Sapo një institucion si një kopsht zoologjik vendos një çmim për një specie të kafshëve të egra, ai promovon tregtinë, e cila është kundërproduktive për ruajtjen”, ka shtuar.

Mbajtja e luanëve, tigrave dhe kafshëve të tjera është e pazakontë në Pakistan dhe shihet si një simbol statusi.

Pronarët e pasur postojnë imazhe të kafshëve të tyre të egra në rrjetet sociale dhe i japin me qira për filma dhe sete fotografike.

Megjithatë, jo kushdo mund të marrë pjesë në ankand.

Janjua ka treguar se blerësit do të duhet të regjistrohen në autoritetet provinciale dhe të tregojnë se kanë mjetet për të siguruar kujdesin dhe strehimin e duhur për krijesat.

Zyrtari veterinar Muhammad Rizwan Khan ka treguar se një përpjekje fillestare vitin e kaluar për të nxjerrë në ankand luanët dështoi pasi blerësve të mundshëm u mungonin dokumentacioni ose licencat e nevojshme.

Marrë nga “Hürriyet Daily News”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore