Kosova

Lista Serbe e ka humbur ndikimin në Veri, thotë Rashiç


Nenad Rashiç

Sipas Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, që vjen nga radhët e komunitetit serb, Lista Serbe ka humbur ndikimin në Veri të vendit – i banuar me shumicë serbe.

Këto komente, Rashiç i ka bërë në një intervistë për “Tëvë1”, pak muaj pasi që Lista Serbe, e cila kontrollohet nga Beogradi zyrtar, bëri thirrje që të bojkotohet votimi për shkarkimin e katër kryetarëve në komunat Veriore – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – çka edhe ndodhi.

“Ka një rënie të ndikimit siç keni thënë, por më duhet të tregojë se, ne si institucionet të Kosovës duhet të bëjmë shumë më shumë se sa që po bëjmë në këtë moment”, tha Rashiç.

Në Veri, sipas ministrit, ka një grupacion që kërcënon të gjithë ata të cilët dëshirojnë të punojnë në komunat që Veriore, që udhëhiqen nga shqiptarët.

“Unë sot e kam dërguar një propozim për emërim të mundshëm për një  zëvendës kryetar në njërën nga komunat”, potencoi.

Rashiç, pa dhënë shifra, theksoi se ka një “interesim të jashtëzakonshëm” të qytetarëve serbë në Veri për t’u punësuar.

“Jeta nuk mund të pret, po vazhdon, po më vjen keq se kemi humbur vite ose dekada kemi humbur tu prit, ndonjë ‘kryemadh’ që të vendose për ne, por të vetmit që vendosim për fatin tonë jemi ne”, deklaroi.

Kryeministri i Kosovës në fillim të qershorit tha se serbët po rikthehen në institucione, por sipas një analisti nga Veriu me të cilin ka biseduar Albanian Post, po ndodhë një rikthim i pjesshëm i tyre dhe i kontrolluar nga partneri politik i Albin Kurtit, Nenad Rashiç.

Kjo, që më vonë t’i kthehen atij në vota për mandate në Parlamentin e Kosovës. Megjithatë, as vetë serbët s’janë të interesuar të integrohen. Ata arsyetim japin, mosbesimin që kanë në institucionet e Kosovës.

Serbët, përveç bojkotit të zgjedhjeve për katër komunat në Veri të vendit – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – më 23 prill 2023, çka bëri që të zgjidhen kryetarët shqiptarë, ndonëse pakicë në ato komuna, bojkotuan edhe referendumin e 21 prillit të këtij viti për shkarkimin e tyre.

Integrimi më i masiv i serbëve të Kosovës në institucionet e shtetit kishte ndodhur pas Marrëveshjes së vitit 2013 të arritur në Bruksel. Marrëveshja e dakorduar atëherë, që kryesisht njihet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, në fakt kishte edhe shumë pika të tjera, siç ishin ato nga 7 deri në 10 ku flitej për një inkuadrim të organizuar të serbëve në institucione (polici, gjykata, administratë, etj).

Megjithëse u quajt veç formal si integrim, në fakt serbët në masë të madhe kaluan nga udhëheqja e strukturave ilegale tek institucionet e shtetit të Kosovës.

Por, më 5 nëntor 2022, me një urdhër politik nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, shumica dërrmuese e të inkuadruarve në vitin 2013 u larguan, me kusht kryesor për kthimin e tyre: themelimin e Asociacionit.

Përkundër thirrjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ata të kthehen, kthim nuk u pa.

A po kthehen serbët në institucione, siç sugjeroi Albin Kurti në intervistën e fundit?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore