Kosova

Lirohet nga paraburgimi ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani


Ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani.

Ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, i cili ishte arrestuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut është liruar të enjten.

Sipas vendimit të publikuar në mediat e Maqedonisë së Veriut, Ramdani është liruar me kusht.

“Propozimi i personit Blerim Ramadani nga Kosova, i paraqitur përmes avokatit të tij Ibraim Bajrami nga Tetova më 29.07.2024, për shfuqizimin e masës së paraburgimit për shkak të ekstradimit dhe zëvendësimin e saj me masën e arrestit shtëpiak për shkak të ekstradimit dhe masat e parandalimit, pranohet”, thuhet në dokument.

Ramadani deri në kryerjen e procedurave të mëtejshme nga 1 gushti deri më 16 gusht do të ketë vendqëndrim të përkohshëm në Shkup.

“Masa e arrestit shtëpiak për shkak të ekstradimit përcaktohet që nga data 01.08.2024 në orën 13:00 deri më 16.08.2024 në orën 13:00. Masa e arrestit shtëpiak nënkupton që personi nuk duhet të lërë shtëpinë derisa zgjat masa e arrestit shtëpiak dhe do të realizohet në Bulevardin “Makedonsko Kosovsko Brigada” nr. 87 Shkup”.

Dokumenti i publikuar nga mediat e Maqedonisë së Veriut.

Më 26 korrik, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, kishte deklaruar se janë duke punuar çdo ditë që ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, të lirohet.

Më 17 korrik, autoritetet e Maqedonisë së Veriut kishin arrestuar, ish-ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ish-anëtar i Zonës Operative të Nerodimes, pasi që i njëjti kishte fletarrestim nga Serbia.

Lajmi ishte bërë i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes një komunikate për media

“Ambasadori ynë në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, është angazhuar intensivisht për të trajtuar këtë rast dhe si MPJD Jemi duke punuar me autoritetet maqedonase për të siguruar lirimin e shpejtë të Ramadani”, thuhej në njoftim.

Nga MPJ-ja kishin theksuar se do të informojnë publikun për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë rast.

Arrestimi i Ramadanit u krye në pikëkalimin kufitar Jaznicë-Glloboqicë, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Arrestohet ish-ushtari i UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, kishte fletarrest nga Serbia

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore