Biznes

Lindsay Lohan dhe Jake Paul nën akuza për pjesëmarrje në një skemë të paligjshme kriptosh


Tetë personazhe të famshëm, duke përfshirë Lindsay Lohan dhe Jake Paul, janë akuzuar nga rregullatorët amerikanë për pjesëmarrje në një skemë të paligjshme kriptosh.

Dyshohet se ata përdorën platformat e tyre sociale për të rritur dy kripto pa zbuluar se ishin paguar për t’i promovuar.

Akuzat u njoftuan nga Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimit (SEC) në një njoftim për shtyp.

Lohan dhe Paul kanë paguar për të zgjidhur akuzat pa e pranuar fajin.

Të famshmit e tjerë të akuzuar janë Soulja Boy (DeAndre Cortez Way), Austin Mahone, Kendra Lust (Michele Mason), Lil Yachty (Miles Parks McCollum), Ne-Yo (Shaffer Smith) dhe Aliaune Thiam (Akon).

Ata akuzohen për promovimin e paligjshëm të aseteve kripto TRX dhe BTT “pa zbuluar se ata ishin kompensuar për këtë dhe shumën e kompensimit të tyre”.

Justin Sun, një investitor i kriptove, akuzohet gjithashtu për mashtrim duke manipuluar aktivitetin tregtar të dy kriptove.

Sun njihet për faktin se dikur ka paguar 4.6 milionë dollarë për të ngrënë darkë me investitorin Warren Buffett.

Ai akuzohet për “orkestrimin e një fushate promovuese në të cilën ai dhe promotorët e tij të famshëm e fshehën faktin se të famshmit paguheshin për tweet-et e tyre”.

Kompanitë e tij – Tron Foundation Limited, BitTorrent Foundation Ltd dhe Rainberry Inc (dikur BitTorrent) – janë gjithashtu të ngarkuara si pjesë e skemës.

“Ky rast tregon sërish rrezikun e lartë me të cilin përballen investitorët kur ofrohen dhe shiten letra me vlerë të aseteve kripto, pa zbulimin e duhur”, ka thënë kryetari i SEC, Gary Gensler.

“Sun dhe kompanitë e tij jo vetëm që synonin investitorët amerikanë në ofertat dhe shitjet e tyre të paregjistruara, duke gjeneruar miliona të ardhura të paligjshme në kurriz të investitorëve, por ata gjithashtu koordinuan tregtimin e larjes në një platformë tregtare të paregjistruar për të krijuar pamjen mashtruese të tregtimit aktiv”.

Të gjithë, përveç Soulja Boy dhe Mahone, kanë paguar një total prej më shumë se 400 mijë dollarë për të zgjidhur akuzat.

Lohan, e cila njihet më së shumti për rolin e saj në filmin e vitit 2004, “Mean Girls”, kishte 8.4 milionë ndjekës në Twitter kur postoi një mesazh duke u bërë thirrje ndjekësve të investonin.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore