Shqipëria

Ligji i Mjekësisë/ Kushtetuesja rrëzon pjesërisht qeverinë: Afati 5-vjeçar jo proporcional


Këtë të enjte të 25 janarit, Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e studentëve të Mjekësisë për ligjin që i detyron ata të punojnë pesë vite në Shqipëri që të marrin diplomën.

Gjykata ka vlerësuar se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës.

“Kufizimi është vendosur me ligj dhe për interes publik, i cili lidhet me detyrimin e shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor ndaj shtetasve, të parashikuar nga neni 55 i Kushtetutës.

Për Gjykatën, afati 5-vjeçar – i miratuar nga Qeveria – nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen.

Ajo ka detyruar Kuvendin që brenda 3 muajve të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore.

Konkretisht: Shfuqizimin e fjalëve “5 vjet” në nenin 4, pika 1, shkronja “b”, “5-vjeçar” në nenin 4, pika 1, shkronja “c”, “3 vjet” në nenin 4, pika 2, shkronja “a”, “3-vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, “2 (dy) vjet” në nenin 4, pika 3, shkronja “a”, “2-vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, të ligjit nr. 60/2023.

Ligji i kundërshtuar gjerësisht nga studentët dhe opozita u miratua në korrik të vitit të shkuar. Ky projektligj u miratua me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim.

Kjo, si masë për të frenuar largimin e mjekëve nga Shqipëria.

Sipas tij, studentët e vitit të parë, apo më saktë kandidatët për studentë, përpara regjistrimit, ata që shpallen fitues, përpara regjistrimit në universitet do të nënshkruajnë një marrëveshje me UMT me MAS dhe MSHMS për tu angazhuar që do të qëndrojnë 5 vite për punësim pas diplomimit të tyre në Shqipëri, në institucionet shqiptare shëndetësore dhe diplomën do ta tërheqë pas përmbushjes së këtij detyrimi.

“Ndërkohë që për studentët që janë aktualisht në sistem, nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë, përsëri në fillim të këtij viti akademik do të nënshkruhet një marrëveshje ku angazhohen që do të qëndrojnë përkatësisht: studentët nga viti i dytë deri në vitin e katërt, tre vite, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë, dy vite, punësim në Shqipëri”, sqaronte ministrja e Arsimit.

A është kontrata e detyrueshme zgjidhje për mos emigrimin e bluzave të bardha?

Ndërkaq, studentët e mjekësisë kanë vendosur të rikthehen në auditore pas protestës.

Kjo, pas takimit me rektorin Arben Gjata i cili ka deklaruar se do i mbështesë kërkesat e tyre.

Gjata u ka pohuar se do t’i mbështesë deri në daljen e vendimit të Gjykatës, dhe se deri në atë kohë, nuk do të kenë kushtet për plotësim kontrate.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore