Kosova

Ligji i Kosovës s’njeh “të larguar nga burgu”, Sveçla e Sallahu kontradiktor edhe me njëri-tjetrin


Ilustrim: Blerim Sallahu dhe Xhelal Sveçla

Për një periudhe fare të shkurtër nga burgjet e Kosovës janë arratisur katër të burgosur, megjithatë ajo çfarë është më tragjike gjithë në këtë mes janë deklarimet absurde, jo të sakta dhe kundërthënëse të krerëve të shtetit.

Pas Enver Sekiraqës, Faton Hajrizit dhe Marko Roshiç-it –  që të tre të dënuar për vrasje – së fundmi nga burgjet e Kosovës u arratis edhe Ujkan Metaj.

Për këtë zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, të shtunën, organizoi një konferencë të jashtëzakonshme për media, për të thënë se të dënuarit “nuk janë arratisur, por janë larguar”.

Megjithatë shpjegimi i tij del të mos jetë i saktë, kjo pasi që Kodi Penal i Republikës së Kosovës, nuk e njeh termin “largim”, por “arratisje”.

Më konkretisht neni 397-të i Kodit Penal të Kosovës askund nuk i referohet të burgosurit si i “larguar”, por i “arratisur”.

“Kushdo që arratiset nga institucioni ku gjendet në mbajtje në bazë të vendimit të ligjshëm mbi privimin nga liria, dënohet me burgim deri në tre vjet”, thuhet në pikën 1 të nenit 397-të Kodit Penal.

“Kushdo që me anë të ryshfetit arratiset nga institucioni ku gjendet në mbajtje në bazë të vendimit të ligjshëm mbi privimin nga liria, dënohet me burgim deri në pesë vjet”, thuhet në pikën 2 të nenit 397.

Përpos kësaj, deklarata e tij është krejt e kundërta nga ajo çfarë tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili potencoi se Hajrizi “ishte arratisur” e jo larguar.

Ajo çfarë tingëllojë edhe më absurde ishte deklarimi i Sveçlës se, Sekiraqa e Roshiç, nuk mund të konsiderohen të arratisur.

“Nuk janë tre persona të arratisur, një është arratisur. Tjerët nuk janë paraqitur para drejtësisë kur është kërku prej tyre”, shtoi ai duke relaksuar situatën me deklarata të tipit se “policia po kryen punën e vet. Nuk ka ndonjë telashe”.

Për tezën se të burgosurit “nuk janë arratisur, por janë larguar”, Sallahu pati edhe një shpjegim.

“Në Kosovë kemi dy lloje të institucioneve korrektuese, lloje të mbyllura ku siguria është e lartë, të dënuarit kanë masa rigoroze dhe strikte si dhe lloje të hapura, ku të burgosurit gëzojnë të drejta dhe privilegje të shumta, pasi që të njëjtit konsiderohen se janë të gatshëm për riintegrim”, shpjegoi ai.

“Pra, për këtë arsye edhe largimi nga tipi i burgut të mbyllur konsiderohet arratisje, ndërsa largimi nga burgu i hapur konsiderohet largim”, shtoi ai.

Pavarësisht kësaj, Sallahu në tentim për të relativizuar arratisjet e dy të burgosurve, potencoi se “largime nga burgjet e llojeve të hapur ka pasur edhe në të kaluarën”.

“Edhe mund të ketë edhe në vazhdimësi, sepse këto institucione nuk i nënshtrohen kontrollit dhe masave të larta të sigurisë”.

Ai ndër të tjera tha se në rast se dy të arratisurit kapen, të njëjtit do t’i “humbin të gjitha privilegjet që i kanë pasur deri më tani dhe rikthehen në qendrat korrektuese të tipit të mbyllur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore