Sport

“Liga e Arabisë Saudite është më e fortë se MLS” – Ronaldo thumbon Messi-n


Cristiano Ronaldo ka thënë se Liga Pro Saudite është nivel më i lartë krahasuar me Major League Soccer (MLS).

Kjo deklaratë e CR7 dukej si një thumbim për Lionel Messi-n, i cili pikërisht ditën e djeshme e kompletoi transferimin në skuadrën e MLS, Inter Miami.

Ronaldo po fliste për mediat pasi luajti pjesën e parë të humbjes 5:0 të ekipit të tij, Al Nassr në miqësoren parasezonale ndaj skuadrës së La Liga-s Celta Vigo-s.

“Liga saudite është më e mirë se MLS”, tha Ronaldo kur u pyet nëse do të konsideronte një lëvizje në Shtetet e Bashkuara si rivali i tij i madh Lionel Messi, i cili u zbulua si lojtar i Inter Miami të dielën.

“Tani të gjithë lojtarët po vijnë këtu”, tha Ronaldo. “Brenda një viti, shumë lojtarë kryesorë do të vijnë në Arabinë Saudite”.

Kapiteni i Portugalisë, i cili iu bashkua Al Nassr-it në dhjetor me një kontratë dyvjeçare e gjysmë pas largimit të tij nga Manchester United, tha se ai i kishte hapur rrugën lojtarëve të tjerë të mirë për të nënshkruar me ekipet saudite dhe se më shumë do të bënte lëvizjen në mbretërinë e shkretëtirës.

“Jam 100% i sigurt se nuk do të kthehem në asnjë klub evropian. Unë jam 38 vjeç,” e citoi “ESPN” të ketë thënë.

“Futbolli në Evropë ka humbur shumë kualitet. Mund të veçoj vetëm Premier League, janë shumë përpara të tjerëve. E theksoj se me 100% nuk kthehem në Evropë, të gjitha dyert janë të mbyllura. Unë nisa një epokë të re për Ligën Arabe dhe shumë lojtarë po vijnë këtu”, shtoi Ronaldo.

“Kur u bashkova me Juventusin, Serie A ishte e ‘vdekur’. Por, pasi unë firmosa pati një ringjallje. Kudo që shkon Cristiano Ronaldo interesi rritet dhe kjo është e dukshme”, ishin disa nga fjalët e Ronaldo-s.

Kujtojmë që Ronaldo e Messi ishin rivalë thuajse për dy dekada në futbollin evropian, epokë kjo që nisi kur njëri luante për Barcelonën e tjetri për Real Madrid-in.

Të dy së bashku numërojnë 12 Topa të Artë, me argjentinasin që fitoi shtatë, ndërsa portugezi pesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore