Jetesë & Stil

Letrat tarot si burim frymëzimi


Letrat tarot kanë qenë prej kohësh muzë për shkrimtarë, artistë dhe stilistë të panumërt.

Në fillim të këtij viti, shtëpia e modës, Dior, paraqiti modele si personazhe nga një pako letrash tarot për shfaqjen e saj të modës pranverë/verë 2021.

Kurse stilisti i kostumeve për filmin fantastiko-shkencor “Dune” zbuloi kohët e fundit se kartat tarot ishin një burim frymëzimi për të.

Por ato nuk frymëzojnë vetëm artistë dhe stilistë, ato janë një formë e fuqishme arti më vete, shkruan e përditshmja “BBC”.

Përgjatë 600 viteve të fundit, koleksioni i letrave tarot të shëtit në historinë e artit, nga Italia e Rilindjes, te arti popullor  e deri te kolazhet digjitale.

Simbolet e tarotit janë përshtatur dhe transformuar qindra herë për të pasqyruar kohën dhe kulturën në të cilën janë krijuar. Më të vjetrat prej tyre datojnë në Italinë e shekullit të XV-të.

Të krijuara për aristokratët, kartat janë të pikturuara me dorë, pjesë të ndërlikuara të artit, me figura që do të shndërroheshin në arketipe kryesore tarot.

Këto letra nisën si një lojë sallonesh dhe vetëm në shekullin e XVlll-të letrat u bënë një mjet për hamendje.

Taroti më i famshëm dhe më me ndikim, u krijua në vitin 1909 kur okultisti Arthur Edward Waite porositi artisten Pamela Colman Smith të projektonte një pako të tyre.

Ky i fundit është edhe më i përdoruri ditët e sotme në botë.

Të dy, Colman dhe Waite, ishin anëtarë të shoqërisë sekrete Urdhri Hermetik i Agimit të Artë, kushtuar studimit të okultizmit. Pakoja e tyre e letrave ri-imagjinoi dhe modernizoi tarotin, duke ri-interpretuar imazhet.

“Fotografitë janë si dyer që hapin dhoma të papritura, ose si një kthesë në rrugë me një perspektivë të gjerë përtej”, ka treguar Waite në librin “The Pictorial Key to Tarot”.

Kurse Colman ka treguar se ishte “një punë e madhe për shumë pak para”, por ilustrimet e saj të gjalla ishin çelësi për zgjerimin e tërheqjes së tarotit.

Edhe Courtney Alexander, një artiste multimediale me bazë në Indiana, krijoi pakon e saj, “Dust II Onyx: A Melenated Tarot”, kur ajo nuk mundi të gjejë asnjë kartë me të cilën ndihej e lidhur.

“Mendova me vete, në rregull, do të krijoj pakon që dua të kem. Qëllimi ishte të krijoja jo vetëm një kuti të zezë në pamje, por doja që ajo të mishëronte errësirën në thelb dhe shpirt”, ka rrëfyer ajo.

78 pikturat e kolazhit të saj me imazhe të përziera paraqesin mite kulturore, simbolikë, histori dhe ikona brenda të zezës, shkruan “BBC”.

Dhe krijuesja qëllimisht i bëri arketipet e saj të duken të botës tjetër për të “lejuar lexuesit të lidhen me diçka përtej ekzistencës së tyre njerëzore dhe kufizimeve që ajo sjell”.

“Në një moment në kohë, tarot ishte vetëm një gamë shumë e kufizuar veprash artistike dhe imazhesh që ishin në stilin shumë evropian. Tani, po lind një gjuhë e tërë kulturore me të cilën njerëzit mund të lidhen”, ka thënë Alexander.

Për një artist, tarot ofron një sfidë të veçantë dhe një mënyrë unike për t’u lidhur.

“Kam pasur ekspozita ku njerëzit shohin punën time për disa sekonda, por tani njerëzit në mbarë botën kanë një marrëdhënie të rinovuar me veprat e mia artistike. Kjo është shumë e veçantë”, ka rrëfyer Alexander.

Në magji

Teksa ikonografia e tarotit është diçka nga e cila çdokush mund të marrë kuptim, simbolet e tjera vizuale të okultizmit janë më të vështira për t’u deshifruar.

Veçanërisht në magji, ravijëzon “BBC”, simbolet sekrete kanë luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm.

“Fjala okult do të thotë e fshehur dhe ideja e magjisë suaj të jetë shumë private dhe shumë personale është e rëndësishme për dy arsye”, ka treguar Pam Grossman, magjistare e vetë-shpallur.

“Së pari, nuk doni të persekutoheni për praktikimin e magjisë nga komuniteti juaj dhe së dyti, ekziston një besim popullor që sa më pak të ndani magjinë tuaj, aq më shumë fuqi ka”, ka vijuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore