Lajme

Letonia paralajmëron rrezik për incidente mes NATO-s dhe Rusisë


“Armatimi i emigranteve nga ana e Bjellorusisë në kufirin me Lituaninë dhe stërvitjet ushtarake, që përfshijnë trupat ushtarake bjelloruse dhe ruse, mund të shkaktojnë një incident mes trupave të NATO-s në vendet baltike”.

Kështu bën të ditur ministri i Punëve të Jashtme të Letonisë, Edgars Rinkeviç.

Më tej, ai thotë se, mundësia e keqkuptimeve të disa veprimeve, të cilat nuk janë të miratuara nga eprorët shtetërorë, siç është ajo e ushtrimeve ushtarake ruse në Zapad që do të ndodhë muajin e ardhshëm, është e hapur.

“Kemi krizë në kufij, kemi një ushtrim madhor ushtarak që do të zhvillohet afër kufijve të vendeve të NATO-s. Po ashtu, edhe nga ana jonë prezenca ushtarake është rritur, si nga Letonia, edhe nga Estonia, ana e Polonisë ruan kufijtë. Sigurisht që kjo po rrit mundësitë e një përplasjeje ushtarake në kufij”, ka thënë Rinkeviç për “Financial Times”.

Rritja e tensioneve në shtetet e Baltikut, po ashtu në Bruksel, për veprimet e regjimit autoritar të Aleksandër Lukashenko, tashmë është më se e dukshme.

Sipas zyrtarëve të shteteve të Baltikut, taktikat e fundit të Lukashenkos për t’i armatosur emigrantët irakianë, sirianë dhe të disa vendeve afrikane, kanë të bëjnë me arsyen edhe për t’u dhënë atyre kalim të lirë të kufirit me Lituaninë.

Çka realisht ka ndodhur, pasi vetëm këtë vit mbi 4 mijë emigrantë kanë kaluar Lituaninë, që për nga shifrat është afro 50 herë më e lartë se vitin 2020.

Rinkeviç këtë veprim e ka quajtur si një luftë-hibride nga ana e Lukashenkos, se po i përdor  qëllimisht emigrantët në shënjestrimin e Bashkimit Evropian dhe të Lituanisë.

“Emigrantët qartazi po përdoren si armë e gjallë. Gjërat që s’i kemi paramenduar kurrë se mund të përdoren për këso qëllimesh, po përdoren”.

Në vijim, ministri i Jashtëm ka thënë se mundësia për incidente është relativisht e lartë, por se nuk është në interesin e asnjërit shtet që kjo të arrijë deri në nivelin e një provokimi të plotë ushtarak.

Ish-kreu i Forcave të Armatosura të Estonisë i është drejtuar NATO-s për të ushtruar nenin e 4-t mbi krizat e emigrimit, sipas të cilit anëtarët mund të sjellin çdo çështje shqetësuese, veçanërisht kur kjo lidhet me sigurinë e një vendi anëtar, në tryezë për diskutim brenda Këshillit të Atlantikut të Veriut.

Nëse ushtrohet ky nen, NATO po merr në konsideratë, me seriozitetin më të lartë, për rreziqet potenciale që mund të sjellë, duke qenë se për nga rëndësia ky nen qëndron më poshtë se neni 5 (ushtrohet kur një vend i NATO-s është në sulm).

Në përfundim, Rinkeviç bëri të ditur se shteti i tij do të mbështeste thirrjen e nenit 5, nëse gjithçka bëhet në rrethanat e duhura, dhe siç u shpreh “nëse me të vërtetë ka nevojë për konsultim me aleatët e NATO-s”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore