Lëshimi i raketës nga Koreja e Veriut ka shkaktuar konfuzion në Japoninë veriore, ku u lëshua një urdhër evakuimi dhe më pas u tërhoq brenda 30 minutave.
Sirenat u ndezën nëpër Hokkaido dhe banorëve iu tha të “evakuoheshin menjëherë” të enjten e 13 prillit në mëngjes.
Autoritetet kanë thënë sakaq se raketa nuk u ul pranë ishullit dhe tërhoqi alarmin.
Sakaq, tensionet janë rritur në rajon, pasi Koreja e Veriut ka lëshuar tashmë 27 raketa këtë vit.
Raketa besohet të jetë me rreze të mesme ose më të gjatë, por detajet se çfarë arme u testua mëngjesin e së enjtes nuk janë bërë ende publike.
Japonia, Koreja e Jugut dhe SHBA-të e kanë dënuar testin e fundit.
Kryeministri i Japonisë Fumio Kishida ka thënë se qeveria e tij do të mbajë një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për nisjen.
Ndërkohë, rojet bregdetare japoneze kanë thënë se raketa ishte lëshuar në ujërat në lindje të Koresë së Veriut. Ministri japonez i Mbrojtjes Yasukazu Hamada ka thënë se nuk mund të konfirmonte nëse raketa fluturoi mbi zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë.
Ky lëshim i fundit ka ardhur disa ditë pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un urdhëroi ushtrinë të adoptonte një mënyrë “më praktike” në parandalimin e luftës.
Gjatë javës së kaluar, Koreja e Veriut nuk u është përgjigjur telefonatave dy herë në ditë nga Koreja e Jugut, gjë që ka shqetësuar qeverinë në Seul.
Zakonisht të dyja vendet shkëmbejnë telefonata në orën 09:00 dhe 15:00 me orën lokale nëpërmjet një linjë telefonike ushtarake dhe këto kontrolle ditore kanë për qëllim të parandalojnë përleshjet përgjatë kufirit të vendeve.
Në fillim të kësaj jave, Ministri i Unifikimit të Koresë së Jugut, Kwon Young-se, e ka përshkruar pezullimin e komunikimit të Veriut si “të njëanshëm dhe të papërgjegjshëm”.
Kjo është një javë e rëndësishme për Korenë e Veriut pasi ajo feston 11-vjetorin e Kim në pushtet dhe vendi tenton t’i shënojë këto përvjetorë me shfaqje të përparimit ushtarak.
Koreja e Veriut ka punuar për të rritur arsenalin e saj bërthamor dhe për të ndërtuar armë gjithnjë e më të sofistikuara. Ajo ka kritikuar gjithashtu stërvitjet e përbashkëta ushtarake midis SHBA-ve dhe Koresë së Jugut, duke i akuzuar për përshkallëzimin e tensioneve.
Po ashtu lëshimi i fundit i raketës vjen dy ditë përpara ditëlindjes së liderit themelues të Koresë së Veriut Kim Il Sung, çka shihet si festa më e madhe vjetore në kalendarin e vendit.
Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com