Kosova

LDK e AAK denoncojnë “dështimin spektakolar” të LVV-së në arsim


Ilustrim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka vendosur që edhe këtë vit të subvencionojë prindërit për blerjen e teksteve shkollore, ndërsa kjo formë është kritikuar nga partitë opozitare në vend, duke e cilësuar “dështim spektakolar” procesin e sigurimit të librave.

Kryetari i i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se niveli qendror ofroi radhë të gjata pritjeje për blerjen e teksteve shkollore, maltretime dhe vonesa. Abdixhiku ka shkruar në “Facebook” se i posedon “zgjidhjet moderne” sa i përket rritjes së cilësisë në arsim.

“Ne i kemi të qarta edhe nevojat por edhe zgjidhjet moderne që ju duhen sot. Të tilla që lënë shenja e jo sharje. Që krijojnë ndryshim e nuk ju mbajnë peng në terrin e urrejtjes e përçarjes”, ka deklaruar kryetari i LDK-së, derisa ka marrë shembull drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, për reformën në arsim përmes mësimit gjithëditor.

E kritika për ekzekutivin e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) sa i përket çështjes ka pasur të dielën edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka shkruar në “Facebook” se ky vit shkollor fillon pa shkëlqimin e dikurshëm, sipas vështrimit të tij, duke qenë se nxënësit kanë kushte të rënda, ndërsa mësimdhënësit paga të ulëta.

“Nxënësit, probleme me tekstet shkollore e me kushtet e rënduara të mësimit, mësuesit me paga nën dinjitetin e tyre e prindërit me dilemën e madhe se çka përfitojnë fëmijët e tyre nga ky sistem arsimor. Institucionet prestigjioze ndërkombëtare e rendisin Kosovën në fundin e tabelës për sa i përket cilësisë në arsim”, ka shtuar ndër të tjera ish-kryeministri i Kosovës.

MASHTI është kritikuar tejmase për vendimin për rimbursimin e prindërve për blerjen e librave, duke prishur zinxhirin dekadësh të sigurimit të teksteve mësimore. Në të kaluarën, përkatësisht prej vitit 2008 deri në vitin 2023, nxënësit filloristë i gjenin librat në bankat shkollore për çdo 1 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore