Lajme

Lavrov: Perëndimi po na fajëson për të gjitha problemet në Ballkan


Sergey Lavrov

Ministri i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergey Lavrov, ka akuzuar Perëndimin se gjoja po zhvillon “një luftë hibride kundër Rusisë”, derisa ka pretenduar se të njëjtit po ia lejnë fajin Moskës për të gjitha problemet në Ballkanin Perëndimor.

Këto komente, Lavrov i ka bërë në një konferencë për media në Shkup, ku është duku u mbajtur Samiti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Në këtë konferencë, krydiplomati rus akuzoi Perëndimin se “gjithmonë ka pasur interes që të nxisë kombet kundër njëri-tjetrit”.

“Unë jam i bindur se popujt e hemisferës ballkanike kanë kaluar nëpër tranzicione të vështira historike, kanë një kod të përbashkët dhe nuk duhet të mposhten dhe të lejojnë që Perëndimi t’i bëjë armiq të njëri-tjetrit”, deklaroi Lavrov, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.

Këto deklarata të Lavrov-it, vijnë në një kohë kur Ukraina, e cila po përballet me agresionin rus, përkatësisht presidenti i saj, Volodymyr Zelensky, deklaroi se ka prova se Rusia po tenton që të krijojë kriza të reja në Ballkan.

“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne po marrim informacione. Rusia ka një plan të gjatë. [Së pari kemi pasur] Lindjen e Mesme – shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”, kishte thënë Zelensky më 15 nëntor, shqetësime që ishin konfirmuar edhe nga Bashkimi Evropian.

Ndërsa, në konferencën e tij nga Shkupi, kryediplomati rus theksoi se ai inkurajon “grupet etnike në Ballkan që të jetojnë në paqe dhe të shmangin ambiciet nacionaliste”.

Ai gjithashtu u bëri thirrje atyre që të mos i bashkohen sanksioneve kundër Rusisë, të vendosura për shkak të luftës kundër Ukrainës, vetëm, siç tha ai, “për të përmbushur disa ambicie perëndimore”.

Akuzat e Lavrov-it ndaj Perëndimit nuk u ndalen me kaq.

Ai akuzoi Perëndimin edhe për kontekstin që ka Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria lidhur me identitetin, ku deklaroi se “maqedonasit duhet të jetë të barabartë në kontinentin e përbashkët”.

Derisa më 1 dhjetor po zhvillohet dita e dytë e samitit të OSBE-së, Lavrov ka pretenduar se kjo organizatë është “degraduar në të gjitha dimensionet kyçe të funksionimit të saj”.

Siç pretendon ai, “OSBE-ja është shkatërruar dhe liderët perëndimorë që nuk kanë marrë asnjë leksion nga dështimi i tyre”.

Lavrov mori pjesë në këtë samit të OSBE-së, vetëm pasi që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria hoqën përkohësisht sanksionet ndaj fluturimeve ruse, të vendosura për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Pjesëmarrja e tij në këtë samit nxiti bojkotin e Ukrainës, e shteteve të Baltikut. Po ashtu, për të shmangur qëndrimin në të njëjtin samit me të, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, morën pjesë në një darkë joformale të OSBE-së në Shkup të mërkurën dhe më pas u larguan nga Maqedonia e Veriut para se samiti të niste zyrtarisht punimet.

Lavrov tha se darka joformale ishte organizuar qëllimisht para se ai të mbërrinte në Shkup.

“Janë munduar me foto nga darka të më paraqesin si të izoluar këtu në Shkup. Por, unë kam pasur një darkë të mrekullueshme me verëra dhe gatime maqedonase dhe kam qenë i pranishëm në hapjen zyrtare të takimit të OSBE-së në mëngjes. Dhe nuk kishte njerëz nga Ukraina dhe shtetet Baltike, as Blinken dhe [ministri i Jashtëm britanik, David]Cameron, as Borrell. Pse ndodhi kjo? Ndoshta ata donin ta vënë në pah qëllimin e tyre për të izoluar Rusinë. Kurse unë mendoj se janë frikacakë, frikësohen nga bisedat e sinqerta dhe me fakte”, pretendoi Lavrov.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore