Kosova

Largimi i kryetarëve në Veri, aplikimi për vëzhgimin e procesit zgjat deri më 15 prill


Foto: Albanian Post.

Deri më 15 prill afati për të aplikuar për vëzhgimin e procesit për largimin e kryetarëve në komunat veriore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë të ditur se deri me 15 prill do të jetë afati për të aplikuar për të vëzhguar procesin për votimin për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave veriore.

Lajmin e ka kumtuar KQZ-ja përmes një komunikate dërguar mediave.

“Ka filluar afati për dorëzimin e kërkesës për t’u akredituar për vëzhgimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024”, thuhet në komunikatë.

Duke shtuar se, “pranimi i aplikimeve ka nisur që nga 1 prilli dhe do të zgjasë deri më 15 prill”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Më 22 mars, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen elektronike të mbajtur të premten ka miratuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për ndarjen e mbi 250 mijë eurove për procesin e votimin për apo kundër largimin të kryetarëve në komunat veriore.

Më 11 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte ndarë mbi 200 mijë euro për organizimin e procesit të votimit për komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut, që do të mbahet më 21 prill të këtij viti.

“Sipas vendimit të KQZ-së, buxheti i planifikuar për organizimin e këtij procesi është në shumën: 233,204 Euro”, thuhet në njoftim për media të KQZ-së.

Tri ditë parë, rekomandimi për caktimin e 21 prillit u bë nga Sekretariati i KQZ-së, pasi që ka verifikuar nënshkrimet e dorëzuara të peticioneve nga Kuvendet Komunale të komunave përkatëse.

Nga Sekretariati i KQZ-së, që ka qenë përgjegjës për verifikimin e nënshkrimeve, bënë me dije se është arritur kërkesa prej 20 për qind të nënshkrimeve në raport me numrin e përgjithshëm të votuesve, çka i hapi rrugë votimit për largimin e krerëve të komunave Veriore.

Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në Veri, u bë janarin e këtij viti.

Këto nënshkrime ishin mbledhur në një periudhë të shkurtër kohore.

Kryetarët shqiptarë të komunave Veriore, ishin zgjedhur më 23 prill të vitit të kaluar.

Bojkotimi që serbët e Veriut – që janë shumicë në këtë pjesë të Kosovës – i kishin bërë këtyre zgjedhjeve, kishte bërë të mundur që për herë të parë ato komuna të udhëhiqen nga shqiptarët.

Mirëpo, ngjarjet që pasuan pas këtyre zgjedhjeve do të shkaktonin tensionet më të larta në atë pjesë të vendit.

Vendimi i institucioneve kosovare për t’i instaluar në zyrat e tyre kryetarët e komunave, kishte hasur në kundërshtim të ashpër të serbëve lokalë.

Të prirë nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit – ata kishin qenë shumë të dhunshëm në protestat e 26 dhe 29 majit.

Madje, më 29 maj, si pasojë e dhunës së shkaktuar nga protestuesit serbë të Kosovës kishin mbetur të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Për situatën e krijuar në Veri, fajtore kryesore nga bashkësia ndërkombëtare ishte bërë Kosova. Për këtë, ndaj Prishtinës zyrtare Bashkimi Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese – ende në fuqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore