Kosova

Lajçak: Vuçiç gjatë takimi ngriti “shqetësime të forta” për situatën e serbëve në Kosovë


Miroslav Lajçak dhe Aleksandar Vuçiç

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka njoftuar për takimin që ai të martën ka pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Beograd.

Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, diplomati sllovak, ka bërë të ditur se Vuçiç gjatë takimit “ka ngritur shqetësime të forta për situatën e komunitetit serb në Kosovë”.

“Theksova se duhet të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje të dakorduara në Dialog”, ka shkruar Lajçak.

Në takim, siç ka njoftuar Lajçak, është biseduar edhe për përgatitjen e një takimi të radhës të kryenegociatorëve.

Gjatë takimit, siç u tha në një komunikatë për media, Vuçiç, paralajmëroi “masa serioze” së shpejti.

“Ne do t’ju drejtohemi me masa serioze në 72 orët e ardhshme. Serbia është gjithmonë pro dialogut, unë jam gjithmonë i gatshëm për dialog, por Serbia nuk do të lejojë persekutimin dhe pogromin e popullit serb”, shkroi presidenti serb në platformën sociale, Facebook menjëherë pas takimit me diplomatin sllovak.

Presidenti i Serbisë njoftoi se do t’i adresohet popullit serb për kërkesat e Serbisë pas “sulmeve brutale mbi popullin serb” në pjesën veriore të Kosovës, derisa akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke pretenduar se ai “dëshiron shkatërrimin dhe persekutimin e popullit serb” në Kosovë.

“Do të kemi shumë takime të rëndësishme, duhet të luftojmë për pozitën e Serbisë në botë, duhet të kërkojmë aleatë. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur… sepse tani është plotësisht e qartë se Kurti dëshiron shkatërrimin dhe persekutimin e popullit serb dhe mendoj se kjo nuk është e qartë vetëm për ne, por edhe për të gjithë të tjerët”, shtoi ndër të tjera presidenti serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore