Kosova

“Avancimi ushtarak” dhe “rritja e bashkëpunimit”, çështje diskutimi mes Kosovës dhe Francës


Foto nga ministria e Mbrojtjes.

Kosova dhe Franca janë zotuar për të rritur bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Ky zotim është bërë gjatë takimit të zëvendësministrin Shemsi Syla me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme, të Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, Claude Perrin së bashku me këshilltarin e jashtëm të kryeministrit të Francës, Sabastien Gricourt.

“Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, ku diskutuan për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Me theks të veçantë, ata u dakorduan në  angazhimin e përbashkët për të avancuar bashkëpunimin ushtarak dhe për të promovuar stabilitetin dhe paqen në rajon”, thuhet në komunikatë.

Syla theksoi se ky takim shërben si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, së bashku me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Shemsi Sylën, drejtorin e Policisë, Gazemend Hoxha dhe disa ekipe të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe policisë janë duke marrë pjesë në “Eurosatory 2024”, që po mbahet në Francë.

Panairi “Eurosatory 2024”, konsiderohet si njëri ndër panairet më të mëdhenj në industrinë e mbrojtjes, sigurisë dhe teknologjisë.

Në këtë panair prezent janë 62 shtete, ndërsa është vizituar nga pjestarë të 150 shteteve të botës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore