Kosova

Kush po gënjen për letrën e Brnabiç-it, Bislimi apo Lajçak?


Ilustrim: Miroslav Lajçak dhe Besnik Bislimi

Ndonëse i deleguar i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, javë më parë bëri të ditur se Serbia e ka tërhequr letrën e dërguar Unionit vitin e kaluar, ku si kryeministre atëbotë, Ana Brnabiç shprehte rezerva për Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se një gjë e tillë nuk është e vërtet.

Këtë konstatim Bislimi e dha pas një bisede të martën me diplomatin sllovak në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut.

“Sot e kuptuam nga Lajçak se letra nuk është tërhequr”, tha Bislimi, ndonëse ndërmjetësi i BE-së vetëm pak ditë më parë në mënyrë eksplicite në Prishtinë potencoi se letra tashmë është tërhequr.

Ajo që ka dashur të thotë Lajçak në Prishtinë, sipas Bislimit “është se po punohet me Serbinë që e njëjta të tërhiqet”.

“Letra nuk është tërhequr. As nuk ka kërkesë për tërheqje të saj, por po punohet në atë drejtim që e njëjta të tërhiqet”, shtoi Bislimi në një prononcim për media në Bruksel.

Diplomati sllovak pas një vizite në Prishtinë në kuadër të përgatitjes së takimit të radhës në Bruksel, tha se the “asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe jemi duke diskutuar edhe me Kosovën edhe me Serbinë se si të përshpejtojmë zbatimin e saj”.

“Letra është tërhequr. Ka deklarata këtu e atje që nuk ndihmojnë fare, por që marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj”, potenconte ai.

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, në një intervistë për Euronews Serbia, më 12 shtator refuzoi t’i përgjigjet pyetjes se a e ka tërhequr letrën e dërguar BE-së vitin e kaluar.

Brnabiç gjatë intervistës tha se nuk do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.

“Nuk e di pse Lajçak tha një gjë të tillë. Nuk kam folur me të, por e di cila është e vërteta dhe do ta dëgjojmë kur të jetë koha e duhur për vendin dhe interesat tona”, tha ajo, duke shtuar se tani nuk është koha e duhur.

Kryeminisitrja e atëhershme e Serbisë, Ana Brnabiç, dhjetorin e vitit të kaluar i dërgoi BE-së një letër, përmes së cilës, Serbia shprehu rezerva për Marrëveshjen Bazë

Në atë letër u tha, mes tjerash, se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.

Pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi në Prishtinë, Lajçak tha se letra është tërhequr dhe marrëveshja është ende valide.

“Jo, Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme dhe po punojmë në zbatimin e saj. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe po diskutojmë me Kosovën dhe Serbinë se si ta përshpejtojmë zbatimin”, tha Lajçak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore