Kosova

Kurti takon Ministrinë për Agrikulturë të Gjermanisë, flasin për rëndësinë e zhvillimit të sektorit të bujqësisë


Albin Kurti dhe Cem Ozdemir

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar me Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka takuar Ministrinë e Agrikulturës së Republikës së Gjermanisë, Cem Ozdemir, ku me ç’rast ka diskutuar për rëndësinë e zhvillimit të sektorit të bujqësisë.

“Biseduam për rëndësinë e zhvillimit të sektorit të bujqësisë nëpërmjet transformimit të zonave rurale në vende tërheqëse për punë dhe jetesë, si dhe për ndërtimin e sistemeve ushqimore të qëndrueshme”, ka thënë Kurti.

“Është e rëndësishme investimi në sektorin e industrisë agroushqimore në Kosovë, si në aspektin e sigurisë ushqimore, punësimit dhe ruajtjes së shëndetit të konsumatorëve dhe mjedisit”, ka shtuar ai.

Gjatë takimit është vlerësuar mbështetja e vazhdueshme nga Republika Federale e Gjermanisë për Republikën e Kosovës dhe marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve.

Gjithashtu u bisedua edhe për agjendën progresive të të dy qeverive dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit, në fushat dhe projektet në të cilat shteti gjerman mund të ofrojë përkrahje.

Ndryshe Kurti përmes një statusi në rrjetin e tij social në Twitter kishte njoftuar se në ditën e dytë të pjesëmarrjes së tij në punimet e Konferencës së Mynihut është takuar me Ozdemir, me të cilën për herë të parë ishte takuar në një simpozium në Greqi si opozitar dhe pas katër vjetëve janë takuar sërish tani të dy në pushtet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore