Kosova

Kurti: Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit s’po lihen më në harresë e të pambrojtur


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk po lihen më në harresë e të pambrojtur, derisa ka theksuar se “ata tash gëzojnë kujdesin e përkrahjen tonë gjithnjë e më të madhe, çdo vit e më shumë”.

“Me qeverinë tonë Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës. Për vitin 2022 ndamë 2 milionë euro. Këtë vit të buxhetuar kemi 3 milionë euro. Vëmendja jonë dhe ndihma nuk ka munguar as para kësaj”, shkroi Kurti në Facebook.

Ai ka shtuar se ruajtja e identitetit, mozaikut kulturor e traditave, është e qenësishme për ekzistencën e shqiptarëve atje, duke pasur parasysh përmasat e diskriminimit të skajshëm me të cilin ata përballen.

“Për këtë arsye në vitin 2022 nënshkruam një memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar. Përmes këtij bashkëpunimi deri më tani janë mbështetur 75 projekte e nisma të ndryshme”.

“Në të njëjtën kohë arsimi është kyç për edukimin e brezave dhe mësimin e historisë, andaj siguruam libra shkollorë dhe parashkollorë në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë për vitet 2022 dhe 2023. Ndërsa për 107 studentë, siguruam 107 bursa studimore”.

“Mbështetëm përfaqësuesit e shqiptarëve në zhvillimin e vizitave në institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, me qëllim të ndërgjegjësimit ndërkombëtar në lidhje me diskriminimin shtetëror ndaj shqiptarëve, shkeljen e të drejtave të pakicave kombëtare dhe pasivizimin e adresave. Si rezultat këto çështje për herë të parë u ngritën si temë diskutimi në Senatin Amerikan”.

Tutje, Kurti ka treguar se juristëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës që kanë leje qëndrimi në Kosovë, Qeveria ua ka mundësuar aplikimin për dhënien e provimit të jurisprudencës dhe profesionistëve shëndetësorë mundësinë e licensimit 5-vjeçar të punës në institucione shëndetësore.

Gjithashtu, sipas tij, është punuar në rregullimin përfundimtar të statusit juridik të personave pa dokumente.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka përpiluar dhe publikuar formularin e aplikimit për qëndrim të përhershëm në rrethana të jashtëzakonshme për qytetarët e pa dokumentuar nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci në Republikën e Kosovës”.

Ai ka potencuar se Projektligji për Shtetësinë e Kosovës është në shqyrtim në Kuvend dhe se ai do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të përfitimit të shtetësisë së Republikës edhe nga shqiptarët e Luginës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore