Kosova

Kurti reklamoi indeksin rreth investimeve të huaja për vitin 2023, raporti i FMN-së pasqyron ndryshe situatën për vitin 2024


Ilustrim

Kosova ka zënë vendin e dytë në mesin e ekonomive evropiane në zhvillim në indeksin e performancës për tërheqjen e investimeve të huaja direkte për vitin 2023 – dhe në vendin e pestë në të gjithë botën – në bazë të një raporti të publikuar së fundi nga qendra FDI Intelligence për investime të huaja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielën gjatë ditës, ka deklaruar se vendi i vogël ballkanik është duke u bërë një ndër destinacionet kryesore për investitorët e huaj: “Një provë më tepër se progresi demokratik dhe ekonomik në Kosovë ecin paralelisht”.

“Për më tepër, ajo renditet e katërta në botë për progres nga viti në vit, përkatësisht nga viti 2022 në vitin 2023. Një dëshmi më shumë se progresi demokratik dhe ekonomik në Kosovë ecin paralelisht, duke e bërë vendin tonë një destinacion lider për investitorët e huaj”, ka shkruar kryeministri.

Në mesin e ekonomive evropiane në zhvillim, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur performancën më të mirë për tërheqjen e investmeve të huaja në vitin 2023. Në vendin e parë është Mali i Zi, pasuar nga Kosova në vendin e dytë, Serbia në vendin e tretë dhe Maqedonia e Veriut në vendin e katërt.

Megjithatë, në një raport të fundit të publikuar për Kosovën nga Fondi Montar Ndërkombëtar (FMN), përkundër vlerësimit se ekonomia e vendit do të vazhdojë të zgjerohet, investimet e huaja direkte mund të ulen në vitin 2024, kryesisht për shkak të tensioneve në veriun e trazuar të Kosovës.

“Rreziqet nga përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës mund të ndikojnë në rritjen ekonomike duke ulur investimet e huaja direkte, turizmin dhe mbështetjen e donatorëve. Një rritje e polarizimit politik të brendshëm mund të vonojë gjithashtu miratimin e huave të jashtme nga parlamenti”.

Gjithashtu, në bazë të raportit të FMN-së në qershor, përveç tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, momentumi i rritjes ekonomike në Kosovës është ngadalësuar për shkak të ikjes së qytetarëve nga vendi dhe masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) kundër Kosovës.

Ndryshe, në bazë të një raporti të publikuar për Kosovën nga Departamenti amerikan i Shtetet (DASH), tregu i vogël i brendshëm, integrimi i kufizuar rajonal dhe tensionet e vazhdueshme me Serbinë vazhdojnë të jenë ndër barrierat kryesore të vendit për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore