Kosova

Kurti, përfaqësuesve të agjencive të OKB-së: Në Veri, po krijojmë vende pune dhe po sigurojmë mundësi të barabarta


Foto nga Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, është takuar me përfaqësues të agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, me të cilët çështje e diskutimit ka qenë edhe puna që po bëhet në Veriun e Kosovës.

Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate dërguar mediave nga Zyra e Kryeministrit.

“Në veriun e vendit po punohet për rritjen e vendeve të punës dhe të mundësive të barabarta për të gjithë, përfshirë këtu edhe përfitimet nga programet e efiçiencës së energjisë”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, ka përmendur edhe punën tre vjeçare që është bërë në Kosovë gjatë qeverisjes së tij, duke thënë se është shënuar “progres”.

“Kryeministri i informoi të pranishmit rreth punës më shumë se tre vjeçare të Qeverisë dhe progresin e arritur i cili është dëshmuar edhe nga rangimi i Kosovës në indekse e matje ndërkombëtare, duke u udhëhequr mbi parime të demokracisë, mirëqenies sociale, sundimit të ligjit dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim”.

Ai shtoi se janë “krijuar 15 mijë vende të reja të punës edhe përmes platformës “Superpuna”.

Kreu i ekzekutivit e ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë, punën e përbashkët me agjencitë e Kombeve të Bashkuara.

Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë janë UNMIK-u (Misioni i administratës së përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë), UNDP (Programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara), UNICEF (Fondi për fëmijët e Kombeve të Bashkuara), UNHCR (Komisioneri i lartë për refugjatë i Kombeve të Bashkuara), WHO (Organizata Botërore e Shëndetësisë), UN Women dhe FAO (Organizata për ushqim dhe bujqësi e Kombeve të Bashkuara).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore