Kosova

Kurti për Rugovën: Udhëhoqi alternativën për pavarësi me një rezistencë paqësore


Foto: Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ish-presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, ka udhëhequr alternativën për pavarësi me një rezistencë paqësore.

Këto komente, Kurti i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që ka marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Rugovës në një nga sheshet e Podujevës.

Zbulimi i shtatores së ish-presidentit historik u bë më 7 shtator, të shtunën, në 34-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së parë të Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.

“Fillimi i dekadës së fundit të shekullit të kaluar ishte i rëndë dhe i vështirë, por: Dr. Gazmend Zajmi ishte në krye të hartimit të kushtetutës për mëvetësi me vetëvendosje; Anton Çetta i printe pajtimit të gjaqeve mes shqiptarëve; Adem Demaçi u kthye te populli i tij pas gjithsej 28 vite nëpër burgje; Dr. Ibrahim Rugova e udhëhiqte Alternativën për pavarësi me një rezistencë paqësore; Dr. Ejup Statovci ishte në krye të rimbëkëmbjes së Universitetit të Prishtinës…”, shkroi Kurti.

“…Ukshin Hoti organizonte demonstrata popullore e shkruante për demokraci autentike; Akademik Rexhep Qosja dominonte debatet historike dhe frymëzonte rininë patriotike; etj. E në fillim të asaj dekade, pasi ishin kthyer nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Sali Çekaj organizonin grupet e armatosura drejt formimit të UÇK-së,” shtoi.

Qëndresa shoqërore që i parapriu protestave aktive studentore dhe luftës së lavdishme çlirimtare, sipas Kurtit, kërkonte angazhim intelektual e kontribut qytetar, përkushtim kombëtar e nivel kulturor, vetëdije politike e afirmim ndërkombëtar.

“Me fjalën e qetë dhe të urtë, me punën e vazhdueshme dhe të durueshme, Presidenti Rugova përfaqësonte politikat e tij në Kosovë dhe jashtë saj, për liri, për demokraci dhe për pavarësi”, potencoi Kurti.

Kjo shtatore e Presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë, sipas Kurtit, “e pasuron ikonografinë e shesheve tona publike në nderim dhe kujtim për të.”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore