Kosova

Kurti: Pa statistika cilësore vendimet mund të jenë të pasakta


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një fjalim rasti, në organizimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, e cila pritet të publikojë të dhënat preliminare të regjistrimit të popullsisë, tha se me të dhënat e sakta Kosova do të jetë më e sigurt dhe nuk do të humb rrugën.

“Përndryshe pa to do të përfundojmë duke bërë rrotullime e zig-zage dhe rrjedhimisht të humbim resurse të vlefshme”, tha ai.

Nxjerrja e të dhënave të sakta e të plota, sipas Kurtit, do të mundësojë të gjithë shfrytëzuesve dhe vendimmarrësve për orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët.

“Pa statistika cilësore edhe vendimet mund të jenë të pasakta e jo cilësore”, shtoi ai.

Kurti tha se realizimi i regjistrimit të popullsisë ishte një nga projektet më me prioritet të qeverisë gjatë këtij viti.

“Ky regjistrim është një reflektim i përkushtimit tonë për të kuptuar dhe adresuar nevojat e popullatës sonë, duke siguruar si shpërndarje të barabartë të burimeve, ashtu edhe për hedhje të bazave për vendimmarrje për të informuar që do të formësojë të ardhmen e Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore