Shqipëria

Kurti: Kuvendi i Lezhës ofron shembullin se si jetësimi i idealeve bëhet i mundur kur jemi bashkë


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar një nga ngjarjet më të rëndësishme të shqiptarëve në mesjetë, Kuvendin e Lezhës – që ishte iniciuar nga kryeheroi shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu – në 580 vjetorin e tij.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se Kuvendi i Lezhës ofron shembullin se si jetësimi i idealeve bëhet i mundur kur “jemi bashkë”.

Kryeministri theksoi se në historinë politike të paraardhësve, 2 marsi i vitit 1444 është data kur shënjohet “një nga organizimet përbashkuese më të hershme dhe më të suksesshme ndër ne”, derisa tregoi edhe një historik të shkurtër të kësaj ngjarje të rëndësishme.

“Tre muaj pasi ishte rebeluar dhe kishte ngritur flamurin e kryengritjes kundër osmanëve, strategu arbër Gjergj Kastrioti i mbiquajtur Skënderbe, i thirri në një kuvend fisnikët arbër të cilët që nga viti 1415 ishin detyruar të përfshiheshin nën sistemin osman të timarit, teksa kryengritjet e tyre të dhjetë viteve të fundit nuk e kishin ndryshuar gjendjen”, shkroi Kurti.

“Fushata e gjatë ushtarake e Janosh Huniadit i kishte frenuar osmanët pranë territoreve të Hungarisë dhe Polonisë. Kjo e kishte detyruar Sulltan Muratin II që më 1444, të fillonte negociatat për paqe me të krishterët evropianë”, shtoi.

Në këtë situatë gjeopolitike, theksoi kryeministri, Skënderbeu i priu një lëvizje për bashkimin e forcave ushtarake të fisnikëve arbër, përballë fushatave pushtuese të Perandorisë Osmane.

Kurti pohoi se për t’i çuar mesazh Republikës së Venedikut që nuk kishin asgjë kundër saj dhe për të shmangur animet mes tyre, fisnikët u mblodhën në Lezhë, që në atë kohë ndodhej nën zotërim venedikas.

Nën drejtimin e kryeheroit të shqiptarëve, Skënderbeut, më 2 mars 1444, në Kuvendin e Lezhës u mblodhën Gjergj Arianit Komneni, Andre Topia me dy bijtë Komnenin dhe Muzakën dhe nipin Tanushin; Lekë Zaharia; Nikollë dhe Pal Dukagjini, Lekë dhe Pjetër Dushmani; Pjetër Spani, Stefan Gjurashi etj.

“Kuvendi i Lezhës ishte një aleancë ushtarake dhe politike me “kapiten të përgjithshëm” Skënderbeun, që e faktorizoi Kryezotin e Arbërisë, duke e kthyer në prijës të një lëvizje të rezistencës antiosmane të cilës i priu me fitore të njëpasnjëshme betejash dhe sukses historik të pakrahasueshëm deri kur vdiq më 1468”.

Kreu i ekzekutivit kosovar përmendi edhe faktin se Kuvendi i Lezhës është monumetalizuar edhe në veprën murale “Kuvendi i Lezhës”, i punuar nga artisti Bashkim Zano Ahmeti, që ishte përuruar më 1 nëntor 1982, në Muzeun e Skënderbeut në Krujë.

Mund të jetë një imazh i teksti

Historia e Kuvendit të Lezhës dhe trashëgimia politike e tij, në vlerësimin e Kurtit, “na ofron shembullin se si jetësimi i idealeve politike, mbrojtja e vendit dhe e popullit, bëhen të mundura kur jemi të bashkuar dhe kur lidhemi me aleatë në aleanca të drejta”.

“Sepse politika është e pashkëputshme nga historia dhe sepse aleancat ushtarake dhe politike, janë trajta më sipërane të politikbërjes”, përfundoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore