Kosova

Kurti: Jemi në këtë gjendje për shkak të burrave me ego të brishta që duan të garojnë për muskuj


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka thënë se bota s’është në një situatë, kjo për shkak të sjelljeve nga ana e burrave.

Kurti, para të pranishmeve ka thënë se përshtypja e tij është se njerëzimi është më i mirë se kaq.

“Po e shohim çdo ditë e më shumë se në çfarë gjendje të krizës të sigurisë globale është sot bota, si rezultat i burrave me ego të brishta që duan të tregojnë se kush i ka muskujt më të mëdhenj. Unë besoj që njerëzimi është shumë më i mirë se kaq”.

Ndërsa, ka potencuar se gratë që gjatë luftës sakrifikuan për Kosovën, janë heroina të vendit.

“Ato që para një çerek shekulli ishin subjekt i luftës çnjerëzore të projektit gjenocidal të Serbisë, sot janë heroina tona”.

Teksa, kërkoi që si shoqëri të reflektojmë në vlera njerëzore.

“Heroina të zëshme e të heshtura, ndonëse mund të mos ua dimë emrat të gjithave ua njohim forcën dhe qëndresën. Nuk mund të ecim drejt paqes globale, pa reflektuar thelle në atë se çfarë do të thotë të jesh njeri, të reflektojmë në humanitetin tonë”.

Të hënën në Prishtinë, ka nisur Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ku janë duke marrë pjesë rreth 40 shtete të botës.

Më 26 shkurt, Osmani kishte njoftuar se sërish në Prishtinë do të mbahet Forumi i Grave, Paqes dhe Sigurisë.

Edicioni i parë i forumit në vitin 2022 i ishte kushtuar trashëgimisë së ish-sekretares së ShBA-së, Madeleine Albright.

Në këtë forum ishin zhvilluar 16 panele, ku ishte diskutuar për çështje të ndryshme, për arkitekturën e sigurisë, përfaqësimin e grave, përballjen me të kaluarën, drejtësinë tradicionale, dhunën ndaj grave, fuqizimin ekonomik të grave si dhe tema të tjera.

Ajo po ashtu në hapje të forumit, kishte dekoruar gratë e Ukrainës me gradën presidenciale të meritave.

Me 15.9 për qind të grave të punësuara, Kosova ka nivelin më të ulët të grave në punë, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, shkalla e punësimit të grave në Shqipëri në vitin 2019 ka qenë mbi 50 për qind, në Mal të Zi dhe Serbi afro 50 për qind, në Maqedoni të Veriut mbi 40 për qind, ndërsa në Bosnje e Hercegovinë rreth 30 për qind.

Shkalla e përgjithshme e papunësisë në Kosovë është 25.8 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore