Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mesatarja vjetore e investimeve të huaja gjatë qeverisjes së tij është 2.4 herë me e madhe në raport me qeveritë e kaluara.
Këto komente, Kurti i ka bërë përmes një postimi në Facebook, të martën.
“Mesatarja vjetore e Investimeve të Huaja Direkte gjatë qeverisjes sonë është 705.6 milionë euro apo 2.4 herë më shumë sesa mesatarja vjetore gjatë qeverive të kaluara e cila është 299.8 milionë euro nëse e marrim nga viti 2007 e këtej”, shkroi Kurti.
Ai shtoi se qeverisja “e mirë dhe e ndershme, me besueshmëri dhe kënaqshmëri të lartë qytetare, sundimi i ligjit, përparimi demokratik, stabiliteti institucional, reformat ekonomike, përgjegjshmëria fiskale, politikat tatimore të përshtatshme, mbështetja e investimeve përmes garantimit të kredive, fuqia punëtore e kualifikuar, e me skemat e punësimit të subvencionuara nga qeveria po e bëjmë shtetit tonë një destinacion përherë e më shumë tërheqës për investime dhe opsion gjithnjë e më të favorshëm për investitorë të huaj”.
Ndryshe, Kosova ka zënë vendin e dytë në mesin e shteteve evropiane në zhvillim në indeksin e performancës për tërheqjen e investimeve të huaja direkte (IHD) për vitin 2023 – dhe në vendin e pestë në të gjithë botën – në bazë të një raporti të publikuar nga qendra FDI Intelligence për investime të huaja.
Nga ana tjetër, partitë opozitare dhe njohësit e çështjeve ekonomike kanë kritikuar ekzekutivin e udhëhequr nga Kurti në lidhje me politikat ekonomike, posaçërisht sa i përket investimeve kapitale.
Opozita ka konsideruar se paralajmërimet për luftë të krerëve të institucioneve kosovare, posaçërisht të kryeministrit Kurti, kanë frenuar investimet e jashtme dhe të brendshme.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë