Kosova

Kurti i kërkon Serbisë t’i hapë arkivat e ushtrisë: Trashëgimtarët e Millosheviçit qëndrojnë mbi varret e shqiptarëve


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Serbia që t’i hapë arkivat ushtarake për të lehtësuar kërkimin e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, derisa ka kujtuar se janë bërë 10 vjet nga klasifikimi 30 vjeçar i arkivës së Brigadës së 37-të të motorizuar të ushtrisë së atëhershme jugosllave, përgjegjëse për krime lufte në Kosovë në vitin 1998-1999.

Kurti ka shkruar në “Facebook” të mërkurën se trashëgimtarët e ish-udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, dikur bashkëpunëtorë dhe sot politikanë në krye të shtetit serb, refuzojnë të hapin arkivat për të zbuluar vendndodhjet e varrezave masive në Serbi, ku dyshohet se janë fshehur trupat e qindra-mijëra civilëve shqiptarë të Kosovës.

“Gjatë luftës 1998-99 në Kosovë, strategjia e shtetit serb ishte fshehja e krimit nëpërmjet të fshehjes së kufomave. Kjo strategji është ende aktive”, ka potencuar kreu i ekzekutivit kosovar, derisa ka shtuar se vendimi i Qeverisë së Serbisë për të shpallur “sekret shtetëror” veprimtarinë e Brigadës së 37-të të ushtrisë jugosllave pengon zbardhjen e së vërtetës së këtyre vrasjeve.

“Vendimi i shtetit serb për të klasifikuar këto dokumente si sekrete për 30 vite është përpjekje për të fshehur krimet e kryera. Është edhe një tregues i qartë se Serbia, përderisa qëndron mbi varret e civilëve shqiptarëve të vrarë, nuk ka treguar asnjë shenjë pendese për mizoritë e kryera në Kosovë”.

“Ky akt përbën një shkelje të të drejtave të njeriut, të drejtës së familjeve për të ditur të vërtetën dhe pamundëson përpjekjet për të sjellë drejtësi. Duke mbajtur të fshehta këto dokumente, Serbia nuk po distancohet nga regjimi i Millosheviqit dhe krimet e tij gjenocidale në Kosovë”, ka shtuar Kurti.

Serbia në shtator të vitit të kaluar u zotua për hapjen e arkivave shtetërore për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), por ende nuk është treguar e gatshme për të dhënë informacione për varrezat masive të shqiptarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore